I akuzuari për krime lufte kërcënoi një person nga burgu, Prokuroria nis hetimet
I akuzuari për krime lufte, Dushko Arsiq, ndaj të cilit ka nisur gjykimi në nëntor të vitit të kaluar, është denoncuar para disa ditësh në Polici, pasi dyshohet se ka kërcënuar një person nga qendra e paraburgimit ku mbahet.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit, i cili tashmë po trajtohet nga njësia për hetimin e krimeve të luftës, raporton Sinjali.
Arsiq, akuzohet për dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina, plaçkitjen e shtëpive, e keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje si dhe për vrasje.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se Arsiq është denoncuar nga një 49-vjeçar, i cili ka raportuar se i njëjti e ka kërcënuar përmes telefonit, me mesazhe të ndryshme.
Sipas informacioneve të para, viktima ka deponuar dëshmitë që provojnë se i akuzuari për krime lufte i ka dërguar mesazhe kërcënuese nga telefoni që dyshohet se e mban në qendrën e paraburgimit.
Me rastin e denoncimit, 49-vjeçari ka dhënë detaje lidhur me rastin dhe motivin që mund ta ketë shtyrë të dyshuarin që ta kanos.
Të njëjtat burime thonë se si rezultati i raportimit janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit.
Kush është Dushko Arsiq dhe për çka akuzohet?
Sot është mbajtur seanca e radhës ndaj tij, ku u dëgjuan katër prej dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, të cilët rrëfyen përjetimet e tyre të luftës së fundit në lidhje me akuzat që i vihen në barrë të akuzuarit Arsiq.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsiqin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.
Aktakuza e bën përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.
Arsiq akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Ndërkaq, në dispozitivin e dytë, thuhet se i akuzuari Arsiq më 20 prill të vitit 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, fillimisht e ka ndaluar të dëmtuarin A.K., në atë kohë i moshës 15 vjeçare.
Sipas aktakuzës, Arsiq bashkë me paramilitarë tjerë serbë, të veshur me bluzë të zezë lartë, pantallona ushtarake, shami në kokë, të cilët kanë pasur një emblemë me kryq me shkronjat “CCCC”, fillimisht i kanë urdhëruar A.K ta heq çantën të cilën e ka pasur në shpinë, e më pas i akuzuari Arsiq i ka shkuar nga pas shpinës dhe e ka goditur me tytën e automatikut në pjesën e poshtme të shpinës.
Në aktakuzë thuhet se si pasojë e kësaj goditje i dëmtuari ka rënë menjëherë në tokë, me fytyrë nga livadhi, e kështu të njëjtit vazhdojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë, në aspektin fizik dhe psikik.
Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se më pas është shkrepur arma automatike si pasojë e së cilës e sheh rrëzuar në tokë një person, e që më vonë e kishte kuptuar se bëhet fjalë për të ndjerin B.Sh. nga fshati Trudë. Pas kësaj, thuhet se i akuzuari Arsiq i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët “përpara nënën ja …., shiko ky terroristi”.