I akuzuari thotë së vrasja e trefishtë në Kaçanik ka ardhur si rezultat i shpërthimit te lokalit “Sekiraqa”
Prishtinë – Agron Dalloshi, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, në rastin ku ai dhe Afet Dalloshi po akuzohen se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona dhe e kishin lënduar një tjetër, ka thënë se vrasja e trefishtë ka ardhur si rezultat i shpërthimit të lokalit “Sekiraqa”.
Këtë deklarim, i akuzuari Agron Dalloshi e ka dhënë në seancën e së enjtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Pas vrasjes së trefishtë, është folur se ky rast ka ndodhur për shkak të shpërthimit të lokalit “Sekiraqa” në Prishtinë, në vendin prej nga vij është folur gjithçka për këtë rast” deklaroi i akuzuari Agron Dalloshi.
E për rastin e shpërthimit të lokalit “Sekiraqa”, ai tha se asnjëherë në jetë nuk është marrë në pyetje dhe shtoi se nuk është në dijeni nëse ka qenë nën hetim.
Ai tha se Afet Dalloshi ka qenë në vizitë në burgun e Dubravës tek Besnik Hasani, e që sipas tij në atë vizitë është bërë programi së kush do të arrestohet.
“Në atë vizitë është bërë programi se kush do të arrestohet dhe për këtë Afetin e kanë dërguar në fillim tek avokati Tahir Rrecaj, për ta dërguar pastaj gjatë mbrëmjes tek prokurori Reshat Millaku, por nuk i ka pranuar atë natë, ju ka thënë se do t’ju pranoj të nesërmen, por të nesërmen Afeti nuk ka shkuar”, tha i akuzuari Agron Dalloshi.
“Kur thash e kanë bërë atë program, e pata fjalën për vizitën e Afetit në burgun e Dubravës, ku Afetit i është bërë presion “thuj për Agronin se arrestohen ata edhe ti ki me dal në liri”,
fol për Agronin”, “leja Agronit këtë lojë”, ka vazhduar tutje deklarimin e tij i akuzuari Agron.
Sipas tij, lidhur me këtë rast “gishti ishte drejtuar nga ai” për shkak të presonit që i ishte bërë Afetit me qëllim që ai ta drejtojë gishtin nga unë.
“Afeti me ka treguar se Besnik Hasani i ka thënë ta drejtoj gishtin nga unë por ai nuk ka pranuar” tha i akuzuari.
Po ashtu, i njëjti deklaroi se nuk i di arsyet se pse Besniku t’i ketë thënë Afetit me “ e drejtua gishtin nga ai” pasi që ai tha se me Besnik Hasanin nuk ka pasur raport përveç se përshëndetjeve.
“Unë nuk e di pse Besniku i ka thënë Afetit me drejtu gishtin nga unë, unë me Besnik Hasanin nuk kam pasur raporte përveç përshëndetje si polic që ka qenë ai, kemi pi kafe nganjëherë bashkë me atë dhe me personat që kanë qenë në biznes të përbashkët në fermën e deleve, në fshatin Rakaj,” deklaroi ai.
Mirëpo, sipas tij, arsyeja se pse Besniku i ka thënë Afetit një gjë të tillë, ishte sepse i njëjti tregoi se para luftës më familjarët e Afetit kishin qenë në kontest për një pronë dhe se nuk kishin folur me ta.
“Para luftës diku 92-93’, jemi kon në kontest për një pronë me familjarët e Afetit s’kemi fol na me ta, e për atë arsye Besniku i ka thënë “ashtu kështu jeni në bela me ta”, “nuk keni raporte të mira” , “leja këtë lojë-bela Agronit”, por ky – Afeti s’ka pranu,” ka thënë i akuzuari Agron.
I njëjti deklaroi se asnjëherë nuk ka pasur mosmarrëveshje me N.B dhe familjen e tij, që për N.B ai tha se e ka njohur si njeri të mirë.
Po ashtu, ai deklaroi se në kohën kur kishte ndodhur rasti në fjalë kishte qenë në shtëpi dhe se kur kishte dëgjuar për vrasjen e trefishtë kishte qenë e papritur.
Tutje, i njëjti ka thënë se N.B ka qenë shok me Enver Sekiraqën, pasi që sipas tij N.B ka pasur shokë në tërë Kosovë, mirëpo tha se nuk e din se çfarë raporte kishin të njëjtit.
Sipas tij, motivi për sulmin ndaj N.B sipas asaj që ishte folur ishte se N.B kishte pasur për t’ia qitur në prit Enver Sekiraqën policisë.
“Është folur në atë kohë, se N.B ka pasur për ta qitur në prit të policisë Enver Sekiraqen, për ta rrahur, vrarë, siç ka ndodhur shpërthimi tek lokali, pasi që Enver Sekiraqa është rrahur një herë në Ferizaj është folur nga polica por unë nuk e di,” ka thënë i akuzuari Agron.
“Unë desha me sqaru se prej Triumf Rizës i cili ka qenë shok i N.B. ai u vra-Triumfi, ndërsa për të marr hak N.B ka hy në bashkëpunim me policinë ndaj Enver Serkiraqës për vrasjen e Triumf Rizës,” tha po ashtu i njëjti.
Në fund, i akuzuari Agron Dallohi u shpreh se “nëse ka drejtësi dhe zot kërkoj drejtësi, nëse është për pare mund të më dënoni sa të doni, sepse unë pare nuk kam”.
Seancat e radhës për këtë rast u caktuan më 2 dhe 10 nëntor të këtij viti, ku pritet të jepet mbrojtja e të akuzuarit tjetër Afet Dalloshi.
Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 2 nëntor 2009 ndaj të akuzuarve Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Nysret Cena për veprat penale të vrasjeve, kurse Hasanit dhe Qerimit edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtor duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdo njërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.
Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, i akuzuari Hasani ka dashur të japë deklaratë në prokurori lidhur me vrasjet e datës në mes 27 e 28 shtator 2007, andaj prokuroria pas dëgjimit të tij, kishte ngritur aktakuzë më 13 shtator 2011 ndaj Nysret Cenës, Agron Dalloshit dhe Afet Dalloshit.
Por që me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 5 mars 2012, është ndryshuar përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës së 13 shtatorit 2011, ashtu që sa u përket veprave penale nën pikën I të aktakuzës, Nysret Cena nuk e ka cilësinë e të akuzuarit.
Ndërsa, të akuzuarit Agron Dalloshi e Afet Dalloshi akuzohen se sipas marrëveshjes paraprake të tyre dhe Shpend Qerimit, më 28 shator 2007, rreth orës 00:10-20, për shkak se Nysret Cena kishte pasur fjalosje me N.B. për shkak të një borxhi dhe i akuzuari Afet Dalloshi kishte pasur fjalosje më parë me N.B., për një femër, ashtu që me qëllim që të privojnë nga jeta atë, i akuzuari Afet Dalloshi me veturën e tipit “Audi A4” pronë e Nysret Cenës, ka bartur Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura mbi lumin Lepenc në fshain Soponicë, ku kanë zënë vend afër gardhit të gjallë.
Tutje në aktin akuzues thuhet se sipas marrëveshjes të akuzuarit Besnik Hasani e Shpend Qerimi, me veturën e të akuzuarit Afet kanë shkuar në restorantin “Mani” i cili ndodhet në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, për të parë momentin kur N.B. do të hyjë në veturën e tij për të shkuar në shtëpi, ashtu që me të rëna të borisë së veturës të informojnë Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron se N.B. ka arritur te ura mbi lumin Lepenc.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në veturë të N.B. kanë qenë edhe S.B., U.B. dhe Bujar e Safik Baftiu, dhe i akuzuari Agron me Nysret Cenën, kur e kanë parë veturën, me dashje që t’i privojnë nga jeta, me pushkë automatike kanë shtënë me rafalë të gjata 40 fishekë.
Tutje, thuhet se N.B., është goditur me shumë predha në anën e djathtë të trupit dhe me një predhë në anën e djathë të kokës dhe ka ardhur deri te vdekja e tij, ndërsa S.B. dhe U.B. për shkak të dëmtimit të zemrës, mushkërive dhe mëlçisë kanë vdekur, ndërsa Bujar Baftiu nga predha e goditur ka pësuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë, kurse Sadik Baftiu ka shpëtuar i palënduar.
Me këtë, të akuzuarit Agron dhe Afet Dalloshi, në bashkëkryerje me të akuzuarit Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe Nysret Cenën sipas aktit akuzues kanë kryer veprat penale: të vrasjes së rëndë nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafi 3.9 dhe 11 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës dhe veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafi 3 e 11 lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës.
Në dispozitivin e dytë, të akuzuarit Nysret Cena dhe Agron Dalloshi akuzohen se më 27 dhe 29 shtator 2007, pa autorizim kanë poseduar dhe bartë çdo njëri nga një pushkë automatike “AK-47”, me ç’rast me ndihmën e tyre, tek ura e lumit Lepenc në fshatin Soponicë, privuan nga jeta N.B., S.B. dhe U.B., kurse tentuan të privojnë nga jeta edhe Sadik dhe Bujar Baftiun.
Me këtë sipas aktakuzës, kanë kryer çdo njëri veç e veç veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, paragrafi 2 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi