I ashpërsohet dënimi burrit që vrau gruan e tij me sëpatë në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim ka dënuar me 35 vjet burgim I.G, për vrasjen e gruas së tij më 2022 në Prishtinë.
I.G, në gjykimin e parë, në qershor të vitit 2023, nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishte dënuar me 25 vjet burgim për vrasje të rëndë.
Vrasja e rëndë në Kosovë dënohet me minimum 10 vjet burgim dhe me maksimum burgim të përjetshëm.
Më 25 nëntor të vitit 2022, në orën 04:00, në shtëpinë tij në Prishtinë, I.G, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij. Sipas gjykatës, ai kishte vepruar “në mënyrë mizore dhe dinake”, duke e goditur disa herë me sëpatë viktimën S.G, e cila në kohën e sulmit ishte duke fjetur në shtratin e saj.
Gjykata tha se viktima, 63 vjeçe, ishte goditur disa herë me sëpatë në pjesën e majtë të kokës “duke i shkaktuar asaj lëndime të rrezikshme për jetën, e për shkak të të cilave e ndjera kishte ndërruar jetë”.
Të dënuarit do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim, ku do të qëndrojë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Njoftimi për shpalljen e aktgjykimit ndaj I.G, vjen pasi ditëve të fundit në Kosovë dy gra u vranë, dhe të dyshuarit kryesorë janë burrat e tyre.
Vrasjet e fundit nxitën reagim të shoqërisë dhe krerëve shtetërorë të cilët kërkuan dënime më të ashpra për kryesit e krimeve me bazë gjinore.
Më 17 prill, në Kosovë është ditë zie në kujtim të të gjitha grave të vrara.
Që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë 57 gra.Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.