I caktohet masa e paraburgimit personit që kërcënoi kryetarin e Prizrenit
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim për të dyshuarin për kanosje të kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj.
Ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri F.K., më 24 janar 2023, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos personin zyrtar në lidhje me punën e tij zyrtare, ka versuar gjykata.
Gjykata gjithashtu ka ardhur në konstatimin se ekzistojnë arsye për caktimin e paraburgimit, pasi që edhe më 6 dhjetor 2022, ndaj të pandehurit është iniciuar hetim për veprën penale të natyrës së njëjtë kanosje, ndaj të dëmtuarit të njëjtë, kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe i pandehuri është edhe përsëritës i veprave penale në tre aktgjykime të plotfuqishme.
“Për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake ne lidhje me një kontest pronësor me komunën e Prizrenit, i pandehuri F.K., ditën kritike përmes një personi të tretë, i dërgon porosi djalit të të dëmtuarit, me çka me këtë veprim tek i dëmtuari Sh.T., dhe familja e tij ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj është kanosur nga dy persona të martën e 25 janarit, të cilët ishin arrestuar nga Policia e Kosovës. Arsyeja e kanosjes ndaj kryetarit dyshohet se është pakënaqësia e personit ne fjalë me vlerësimin që Komuna e Prizrenit ia ka bërë pronës së tij.