I dëmtohen posterët, Ferit Idrizi i PDK-së akuzon Xhafer Tahirin për fushatë raciste
Të martën janë dëmtuar posterët e kandidatit të PDK-së për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Me këtë rast, Idrizi ka akuzuar kundër kandidatin nga radhët e LDK-së, Xhafer Tahirin për siç ka thënë ai fushatë raciste.
“Kjo asnjëherë më parë nuk ka qenë pjesë e kulturës dhe e edukatës sonë qytetare, por as e politikës së mirë. Këto etiketime të ulëta nuk do t’i shërbejnë në asnjë formë z .Tahirit, sepse me këtë veprim po shpërfaq urrejtje patologjike ndaj kundërkandidatëve të tjerë në Vushtrri dhe ndaj kolegëve tanë në Mitrovicë e në Skenderaj, të cilët populli i ka zgjedhur qysh në raundin e parë”, ka shkruar Idrizi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Idrizit:
Të dashur qytetarë,
Sot shumë prej jush kanë parë në vandalizmin e posterëve tanë dhe të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje!, nga ana e kundërshtarit politik.
E dimë me saktësi se i kanë bërë ata, sepse këtë gjuhë të urrejtjes ka përdorur gjatë gjithë fushatës z. Tahiri. Këta posterë janë të fushatës raciste të Xhafer Tahirit. Kjo asnjëherë më parë nuk ka qenë pjesë e kulturës dhe e edukatës sonë qytetare, por as e politikës së mirë. Këto etiketime të ulëta nuk do t’i shërbejnë në asnjë formë z .Tahirit, sepse me këtë veprim po shpërfaq urrejtje patologjike ndaj kundërkandidatëve të tjerë në Vushtrri dhe ndaj kolegëve tanë në Mitrovicë e në Skenderaj, të cilët populli i ka zgjedhur qysh në raundin e parë.
Kryetari në shkuarje do të mbahet mend për tendencën e tij për ta instaluar gjuhën e urrejtjes, e cila nuk është përkrahur as nuk do të përkrahet kurrë nga vushtrriasit. Krejt çka mund të bëjë ai është kjo, ngase zgjedhjet tashmë i ka humbur.
Z. Tahiri nuk duhet të fshihet pas këtyre vandalizmave politikë, ai duhet t’i përgjigjet ftesës sime për debat në sheshin kryesor të qytetit.
Të gjithë vushtrriasit meritojnë të dinë drejt për programet tona dhe për aferat korruptive të tij, të vartësve dhe të familjarëve të tij.
Qeverisja e mirë po rikthehet, fitorja është vetëm disa ditë larg!