I dënuari për krime lufte në Kosovë, Nebojsha Pavkoviq mban ligjërata në një shkollë në Serbi
Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut në Serbi (YIHR) ka kërkuar të martën nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik që ta ndëshkojë drejtoreshën e shkollës fillore “Gjura Jakshiq” në Kaq të Novi Sadit, sepse në një klasë të kësaj shkolle, më 20 prill, i dënuari për krime lufte, Nebojsha Pavkoviq mbajti një ligjëratë përmes video-lidhjes me temën “Rrëfimet e heronjve”.
Duke iu referuar raportimeve të mediave, YIHR deklaroi se në ligjëratë ka folur edhe kryetari i komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriq. YIHR u ka bërë thirrje grupeve të komisionit në Kuvendin e Novi Sadit që të nisin një iniciativë për shkarkimin e tij.
Në deklaratë theksohet se “Pavkoviq ka qenë komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave gjatë luftës në Kosovë dhe se është dënuar para Tribunalit të Hagës me 22 vjet burgim për krime kundër njerëzimit kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999”.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, i dënuar me 22 vjet burgim, u është drejtuar studentëve përmes video-lidhjes nga Finlanda, ku po vuan dënimin me burg.
Në maj të vitit 2022, Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale hodhi poshtë kërkesën e Pavkoviqit për lirim të parakohshëm për shkak të seriozitetit të krimeve të tij dhe mungesës së rehabilitimit.
Pavkoviqi e ka marrë dënimin më të madh përfundimtar për krime lufte në Kosovë që e ka dhënë ndonjëherë Tribunali Penal për Ish-Jugosllavi (ICTY).