I dërguari amerikan nuk pret përfundim të shpejtë të konfliktit në Ukrainë
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, Kurt Volker, ka thënë se nuk pret përparim të shpejtë drejt fundit të konfliktit në lindje të Ukrainës, sepse, siç ka thënë ai, Rusia duket se pret ndryshime të mundshme pas zgjedhjeve në Ukrainë.
“Mendoj se Rusia ka vendosur të presë zgjedhjet e Ukrainës, të shohë se çfarë do të ndodhë. Ndoshta do të lindë ndonjë mundësi e re që i ofron pozicion më të favorshëm asaj”, ka thënë Volker në një fjalim para Këshillit Atlantik në Uashington, raporton “Rel”.
Komentet e tij vijnë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se shpreson se nga zgjedhjet presidenciale të 31 marsit në Ukrainë, të dalë një qeveri më miqësore ndaj Rusisë.
Putini ka thënë se edhe udhëheqja aktuale në Kiev pret zgjedhjet, përpara se të bëjë ndonjë hap në bisedimet për paqe.
Konflikti në lindje të Ukrainës midis forcave pro-qeveritare dhe separatistëve pro-rusë ka nisur qysh në vitin 2014, kur Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë.
Mbi 10 mijë njerëz janë vrarë në luftimet atje.