I dërguari gjerman për Ballkanin: Presim sanksionet e Serbisë kundër Rusisë
Dështimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, nuk do të thotë neutralitet, por mbështetje për Rusinë, ka thënë i dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Ai ka thënë se në kohën e luftës së Rusisë në Ukrainë, Evropa duhet të mbetet e bashkuar.
“Prandaj, përafrimi i politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në për këtë çështje, është i një rëndësie vendimtare – përfshirë edhe sanksionet. Ne mirëpresim faktin se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë bërë tashmë këtë. Por, ne presim që edhe Serbia ta bëjë të njëjtën gjë. Nuk është e mundur të qëndrohet anash në këtë çështje. Mos vendosja e sanksioneve nuk do të thotë neutralitet, por do të thotë mbështetje për Rusinë”, ka thënë Sarrazin.
Serbia, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, ka refuzuar t’i vendosë sanksione Rusisë, gjë të cilën ia ka kërkuar Bashkimi Evropian.
Sarrazin ka marrë këtë detyrë, e cila nuk ka ekzistuar në qeveritë e mëparshme gjermane, në mes të shkurtit të këtij viti. Ai është anëtar i Partisë së Gjelbër në Gjermani, ndërsa ka qenë deputet i Bundestagut për 13 vjet, deri në vitin 2021./Rel/