I dërguari i Trumpit për dialogun arrin në Kosovë
I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell ka arritur në Kosovë.
Ai pritet që gjatë ditës të takohet me presidentin Hashim Thaçi. Presidenca ka paralajmëruar se takimi pritet të mbahet në orën 13:00.
Në ndërkohë, është raportuar se i dërguari i Trumpit do të takojë edhe kandidatin për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurtin, që deri më tani sipas rezultateve zyrtare nga KQZ është fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit.
Këtë e kanë konfirmuar për “klankosova.tv” edhe nga Vetëvendosje. Grenelli gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Berlin së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer.
“Klan Kosova” merr vesh se Grenelli gjatë ditës së djeshme e ka takuar një zyrtar të lartë gjerman në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin të cilin e ka informuar për qëllimin e kësaj vizite.
I dërguari special i presidentit amerikan nesër gjatë ditës pritet të qëndrojë në Beograd.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka emëruar ambasadorin e ShBA-së në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguar për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë gjatë javës së shkuar.
Grenelli, i cili përveç detyrave të reja, do të mbetet ambasador në Gjermani, do të udhëheqë përpjekjet e Amerikës për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare paqeje që mund të rezultojë në njohjen e Kosovës nga Serbia.