I dërguari i Trumpit viziton Kosovën javën e ardhshme
05 shtator 2018
| 15:15
Senatori amerikan dhe kryesuesi i Komisionit për Siguri Kombëtare i Senatit të Shteteve të Bashkuara, Ron Johnson, do të vizitojë javën e ardhshme Greqinë, Maqedoninë, Serbinë dhe Kosovën, ka konfirmuar për Shërbimin e Ballkanit të “Radios Evropa e Lirë” Ambasada amerikane në Beograd.
Johnsoni, gjatë turneut në Ballkan, do të takohet me udhëheqësit rajonalë, ka njoftuar kjo ambasadë.
Ai është një nga bashkëpunëtorët e lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, i ngarkuar me misione të posaçme.
Vizita e tij vjen në kohën kur Kosova dhe Serbia po shqyrtojnë idenë e ndryshimit të kufijve, ndërsa këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, ka thënë se ShBA-ja nuk i përjashton korrigjimet territoriale.