‘I dridhej zëri, kërkonte ndihmë dhe thoshte se po qajnë fëmijët’, Gashi jep detaje për incidentin e Osmanit në aeroportin e Shkupit
“Më thirri presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dridhej zëri, kërkonte ndihmë. Ajo më tha se kishte probleme në aeroportin e Shkupit dhe se ishte ndarë nga fëmijët që ishin gjithashtu në aeroport”.
Kështu ka thënë këtë martë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, pasi është pyetur nga gazetarët për incidentin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit në fillim të këtij muaji, meqë kjo fundit kishte kërkuar ndihmë nga kryekuvendari RMV-së.
“Më tha se fëmijët ishin shumë të frikësuar dhe po qanin. Më duhej të ndihmoja. Nuk e di se cili person nuk do të ndihmonte nëse dikush lutet për ndihmë”, ka treguar Gashi, shkruan “Albanian Post”.
Ndërsa më 1 gusht, Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit, pati theksuar se në aeroportin e Shkupit, presidentes sigurimi ka tentuar që t’ia marrë telefonin personal, por pati theksuar se Osmani ka refuzuar, teksa ka hasur në rezistencë nga pala maqedonase.
“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë”, ishte thënë në reagim.