I dyshuari që kërcënoi Kajtazin, ndalohet nga policia për 48 orë
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se pas publikimit të informatave rreth kërcënimit që ka marrë gazetari Vehbi Kajtazi për shkak të punës dhe profesionit të tij, është arrestuar i dyshuari dhe është ndaluar për 48 orë.
“Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të identifikimit të dyshuarit dhe sigurimit të prezencës së të njëjtit në procedurën penale. Veprimet e ndërmarra kanë rezultuar fillimisht me arrestimin e të dyshuarit nga Policia e Kosovës, ndërkaq, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ‘Kanosja’. Prokuroria në koordinim me Policinë po vazhdojnë me ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore lidhur me këtë rast”, thotë Prokuroria në komunikatë.
Gazetari Kajtazi u kërcënua me një mesazh më 8 tetor përmes Facebook-ut.
Ai në Rubikon tha se ka ngelur i tronditur dhe, siç shtoi, s’e ka njohur kurrë, por ka parë mllef nga ky person.