I gjithë arkivi mbi Shqipërinë dhe shqiptarët nga arkivi osman i Stambollit kthehet në Tiranë

01 shtator 2022 | 21:44

Ardit Bido, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, ka bërë me dije se i gjithë arkivi i Stambollit gjendet tani në Tiranë.

“Mbi një milionë dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët nga arkivi osman, rikthehet në atdhe, përmes pasurimit më të madh që kanë parë arkivat shqiptare ndonjëherë”.

Sipas tij, dokumentet e marra nën zotërim në trajtë digjitale mbulojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë sundimit osman pesëshekullor.


Ai ka njoftuar se mes tyre gjenden vendime dhe dekorime të personaliteteve të ndryshme.

Siç është kërkesa për ngritjen në grada të Mahmut Pashës, informacione mbi përplasjet politike midis prijësve në hapësirën shqiptare, sikurse konflikti mes Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës, evidenca mbi mësimin e shqipes në Vlorë dhe në Shkup, informacione mbi dinastitë e qyteteve shqiptare; të dhëna mbi lëvizjet nacionale shqiptare, greke, serbe dhe dokumente të karakterit fetar.

Ky dhurim vjen në vazhdën e përpjekjeve disavjeçare të Arkivit shqiptar dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, për shkëmbimin e dokumenteve arkivore.

Më herët, në vitet 2015 dhe 2020, Arkivi i Stambollit ka dhuruar përkatësisht rreth 5 mijë dhe 350 mijë fletë dokumente.

Mes tyre gjendeshin urdhëresa, fermanë, të dhëna biografike të Ismail Qemalit, si edhe dokumentacion mbi Ali Pashën, një pjesë e të cilit i është dhuruar organit të kujtesës lokale, Muzeut të Tepelenë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se Ukraina është “enklavë…