I gjithë fshati me mbiemrin Gashi
Prodhimi i thëngjillit dhe shitja e tij është profesioni i vetëm i shumicës së banorëve të Brusit. Në këtë fshat ka 30 furra të posaçme në të cilat drurët digjen duke u shndërruar në thëngjill për skarë. Po ashtu, karstikë e këtij fshati është se gjithë banorët e Brusit kanë mbiemrin Gashi dhe rreth gjysma e tyre janë të besimit katolik. Por, ka raste kur brenda familjes anëtarët i takojnë dy konfesioneve fetare
Ismail Rexhepi
Fshati Brus afër Janjevës, që i takon Komunës së Lipjanit, me asnjë rrugë të vetme nuk lidhet me pjesët e tjera të kësaj komune. Për të arritur në të duhet kaluar nëpër territorin e dy komunave, Prishtinës dhe Artanës. Në gjysmën e rrugës Prishtinë – Gjilan, me të lëshuar asfaltin në të djathtë, një udhë e gjatë tri kilometra, gjysma e saj e rregulluar kohën e fundit me mjetet e KFOR-it. Mirëpo, tash kjo rrugë është e rregulluar. Sidoqoftë, po të rastisë të takohen dy vetura përballë, njëra duhet shmangur deri në shkallë rreziku për t’i lëshuar udhën tjetrës. Ky është përshkrimi i parë që mund t’i bëhet rrugëtimit tonë deri në këtë fshat me karakteristika shumë interesante. Prandaj, me të përfunduar të kësaj rruge të ngushtë duken shtëpitë e para në fshat të cilat kanë dallime të mëdha njëra me tjetrën për nga vjetërsia. Banorët thonë se këtu ka shtëpi të vjetra mbi 200 vjet, sa mezi mbahen në këmbë, por që në to jetojnë brusasit. Për ta luftuar sadopak varfërinë e skajshme, prodhimi i thëngjillit dhe shitja e tij është zanati i vetëm i shumicës së banorëve. Kështu, në fshat ka 32 furra të posaçme në të cilat drurët digjen duke u shndërruar në thëngjill skare. “Furrat duhen të mbikëqyren 24 orë rresht, në mënyrë që të mos depërtojë në to oksigjeni, ndryshe ka rrezik që i gjithë mundi të kthehet në hi”, ka thënë në fillim të bisedës Shyqeri Gashi, shitës i thëngjillit. Ai, po ashtu, thotë se një metër dru mund të prodhojë 5-6 qeska me thëngjill skare, të cilin e plasojnë në tregun e Prishtinës dhe Gjilanit, ndërsa bartja bëhet kryesisht me gomarë. Po ashtu, Brusi është fshati i vetëm i Komunës së Lipjanit i banuar me shqiptarë të besimit katolik dhe myslimanë. Të gjithë banorët e Brusit kanë mbiemrin Gashi dhe rreth gjysma e tyre janë të besimit katolik. Ka raste kur brenda familjes anëtarët i takojnë dy besimeve të ndryshme.
Ruzhdi Gashi një herë në muaj shkon në varrezat e fshatit dhe përkulet para një varri të shembur fare, përskaj rrugës që shpie për në kishën e Shën Shmasjanit dhe me dy qirinj të ndezur në dorë bën bekimin e varrit të babait të vet. Pas përfundimit të ritualit, ai çdoherë para se të ngrihet në këmbë bën kryq. Ruzhdiu është i besimit katolik, ndërsa babai i vdiq si mysliman dhe u varros me hoxhë. “Në të gjitha dokumentet emri më shkruan Ruzhdi, ndërsa nga ana fetare emrin e kam Lazë dhe jam i besimit katolik”, tregon Ruzhdi-Lazë Gashi.
Babai i Ruzhdiut, Limi, ishte i besimit mysliman dhe kishte edhe tre vëllezër të tjerë, të gjithë me emra myslimanësh, por dy prej tyre ishin të besimit katolik. Nga dymbëdhjetë vëllezër dhe motra sa ka Ruzhdiu, vetëm njëra motër ka mbetur e besimit mysliman. Askush në fshat nuk e thotë saktësisht se si ka ndodhur që brenda një familje, anëtarët e saj të kenë besime të ndryshme. Vetëm thonë se fshati është ngritur prej tre vëllezërve të cilët kanë përqafuar besime të ndryshme. Në mes të fshatit janë varrezat në të cilat deri para 10 vjetësh janë varrosur së bashku katolikë e myslimanë, ndërsa kohët e fundit ato janë të ndara. Por, edhe pse u takojnë dy konfesioneve, fshatarët thonë se toleranca ndërfetare është në maksimum. “Kur kemi Bajram, fqinjët e besimit katolik vijnë dhe na urojnë për festat, por edhe myslimanët i vizitojnë fqinjët e tyre katolikë për Krishtlindje”, na tha Nazim Gashi, hoxhë nga ky fshat.
Ndërsa Ivan Gashi, mësues, tash i pensionuar, thotë se në shenjë respekti për fqinjët myslimanë, ka 32 vjet që për festat e Bajramit nuk punon asgjë, madje edhe dyqanin e mbyll. Një pjesë të rrugës kohë më parë na e ka shtruar KFOR-i. Po ashtu, ushtarët e KFOR-it irlandez kanë bërë investime të duhura në shkollën tonë duke i përmirësuar dukshëm kushtet e punës në të. Ka raste të rralla kur fëmijët, pas mbarimit të nëntëvjeçares, vijojnë shkollimin e mëtutjeshëm në mungesë të kushteve, sepse shumica e tyre orientohen për shitje të thëngjillit”, ka pohuar ai.
\Epoka e re\