I gjuajti me armë qentë endacakë, IPK po heton policin
Një zyrtar policor mbrëmë ka gjuajtur në drejtim të qenve endacakë që iu vërsulën në mes të rrugës në Vushtrri.
Polici u detyrua ta përdorë armën zyrtare për t’i zmbrapsur qentë dhe tashmë lidhur me rastin janë vënë në dijeni Prokurori i Shtetit dhe IPK-ja.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, me ç’rast është bërë me dije se hetimi ka nisur në drejtim të veprës penale “Përdorimi i armës”.
“Lidhur me rastin IPK-ja ka nisur hetimet lidhur me një rast të përdorimit të armës zyrtare nga një zyrtar policor.
Rasti po hetohet edhe në koordinim me prokurorin e Shtetit. Për detaje do t’ju njoftojmë me kohë”, thanë nga IPK-ja.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Rifat Galica” teksa polici ishte duke u kthyer në shtëpi, kur papritmas ia zunë rrugën një numër i madh i qenve.
Nga ky incident asnjëri nga qentë nuk ka pësuar lëndime e as ndonjë qytetar.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet përkatëse të policisë dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme.