I hiqet imuniteti Sali Berishës, SPAK mund ta arrestojë
Sali Berisha mund të arrestohet nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
Kuvendi i Shqipërisë, me 75 vota pro, e ka miratuar kërkesën e SPAK-ut, për t’i hequr imunitetin Berishës, duke i lënë rrugë të hapur vendimit për arrestimin e tij, me kërkesë të prokurorëve.
Tashmë mbetet që prokurorët e çështjes të caktojnë nëse për Berishën do të ketë arrest të mirëfilltë dhe prangosje, apo arrest shtëpie.
Vetë shumicës në Kuvend, i mjaftuan thjesht pak minuta për të vendosur mbi Berishën, duke parë që ky i fundit nuk dëshiroi ta merrte fjalën për të zhvilluar një “mbrojtje” të figurës së tij.
Po ashtu, edhe deputetët e opozitës nuk pranuan të flisnin, apo edhe të dëgjonin raportet e Kuvendit për miratimin e kërkesës së SPAK.
Deputetët demokratë krijuan tensione dhe zhurma, që para fillimit të seancës, por nuk mundën ta bllokonin vendimin e socialistëve për të hequr imunitetin e Berishës.
Ndërkohë që kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, po lexonte rendin e ditës, u ndezën njëkohësisht tymues nga deputeti demokrat, Flamur Noka.
Përleshjet me punonjësit e Gardës nuk kanë munguar gjithashtu, me Nokën, i cili vendosi karrige në foltoren e Kuvendit, me qëllim për të bllokuar fjalët e deputetëve.
Paralelisht me seancën, jashtë ambienteve të Parlamentit po zhvillohet edhe një protestë e mbështetësve të Berishës, ku vetë ky i fundit do të marrë pjesë.
Në grumbullim është vënë re edhe vajza e Berishës, Argita, e cila ka qenë në mbështetje të vazhdueshme të babait të saj në këtë kohë, duke u shfaqur publikisht në protestat e opozitës.