‘I huaj me qëndrim të përhershëm’
Bisedë me Avni Lamën (1)
Në banesën e Avni Lamës, Prishtinë, 22 dhjetor 1999.
Me ne janë edhe bashkëshortja e Avniut, Atifetja dhe vajza e tyre, Vlora.
Baca Avni!
Për fillim na tregoni për origjinën e familjes dhe për fëmijët tuaj?
– Nuk kam pritur gazetarë titistë asnjëherë.
Mirë se erdhët në shtëpinë tonë!
Kam lindur në Shqipëri, më 28 dhjetor 1932, në Kolgecaj. Jam me origjinë nga Gjakova. Babai im ishte Din Lama. Nana ime ishte Halime Halilosmani. Din Lama ka shkuar në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore, para pushtimit italian.
Unë jam fëmija i dytë. Përpara meje ka lindur motra, Sheribane Lama. Ka qenë e martuar dhe ka jetuar me burrë, por tash jeton me ne, pasi nuk ka pasur fëmijë. Kam edhe tre vëllezër të tjerë dhe një motër. Vëllai tjetër është Bedri Lama, i cili ka dy fëmijë dhe jeton në Zagreb. Tjetri është Fatmir Lama. Ai jeton në Prishtinë. Vëllai i vogël e ka emrin Mumin Lama dhe ai tash jeton e punon aty, në Gjakovë. Edhe motra e vogël, Serbeze Lama, ka dy fëmijë dhe jeton në Gjakovë. Unë e Fatmiri jetojmë në Prishtinë.
Jam martuar në shtator të vitit 1962, pasi kam dalë nga burgu i Goli Otokut. Kam qenë i fejuar para se të bija në burg. E fejuara më ka pritur derisa jam liruar nga burgu. Kam qenë i fejuar më përpara, në vitin 1960. I kam katër vajza. Nita është vajza e madhe dhe ka një djalë. Ajo, ka mbaruar shkollën e mesme të mjekësisë edhe me provime ka gati të përfundojë fakultetin e gjuhës shqipe. Djali i saj ka emrin Gurakuq. Donika është vajza e dytë. Është martuar vjet. Ajo jeton në Gjakovë. E ka gati ta mbarojë fakultetin e arkitekturës. Vajza e tretë është Vlora. Kjo ka lindur këtu, ndërsa të tjerat në Gjakovë. Ajo vazhdon studimet në mjekësi. E vogla është Tringa. Ajo është studente e vitit të dytë në ekonomik. Edhe rruga këtu ku jetojmë quhet Tringë Smajli.
Gjyshi ka pasur dyqan në Kolgecaj në vitin 1920. Me 1930 i ka marrë djemtë dhe jemi shpërngulur në Kolgecaj, që sot quhet qyteti Bajram Curr. Edhe prej vitit 1927 deri në 1930, kishte ndodhur një krizë e madhe ekonomike. Thoshte babai, u shfaq njëfarë barbarie, sikur tash që ndodhi në Shqipëri. Një motër ka lindur këtu, në vitin 1929. Unë jam i pari fëmijë që kam lindur atje. Kam vijuar shkollën fillore aty dhe për tre muaj nuk e kam mbaruar klasën e tretë në Kolgecaj. Ne u shpërngulëm këndej, në Kosovë, pasi hynë italianët në Shqipëri. Axhallarët mbetën në Shqipëri. Edhe sot i kam tre djem të axhës, që kanë jetuar atje. Pak kanë jetuar në Kukës e tash në Tiranë. Kanë ardhur edhe këtu të na vizitojnë. I pari e ka emrin Abit, i dyti Bashkim dhe i treti Shpëtim.
Këta kanë jetuar pak edhe në Shkodër. Ai i treti punon në Greqi, tash tre-katër vjet.
Kur erdhëm këtu, asokohe vazhdova klasën e katërt. Mësues e kam pasur Hysni Zajmin. Pasi ky mësues doli në mal, për ne erdhi mësues Shyqyri Hafizi nga Shkodra. Ai ishte një burrë i zoti dhe shumë njeri i mirë. Ishte shumë i dashur për nxënës.
Me shfaqjen e Informbyrosë, u mbyll kufiri. Dolën probleme dhe regjistrova shkollën normale. Atje kam qenë i pranuar në shkollën amerikane. Vazhdova shkollën normale këtu. Pasi e kam mbaruar normalen, na morën e na shpërndanë nëpër krejt Kosovën. Kam qenë i caktuar të shkoja në Sfircë të Kamenicës. Duhej të punohej edhe vullnetarisht. Ishte mungesë e madhe e mësuesve. Jam bërë gati të shkoja në Sfircë, por pritej udhëzimi ku do të shkonim, dhe nuk e di pse e kanë ndërruar atë vendim, e më ka ardhur udhëzimi të shkoja në Hoçën e Vogël të rrethit të Rahovecit.
Gjendja ekonomike ju ka detyruar ta ndërroni vendbanimin dhe punën?
– Gjyshi ka qenë i vendosur në Kolgecaj shumë herët. Ka qenë një tregtar edhe në Shkodër. Baba im ka shkuar aty si nëntë vjeç. Baba është i lindur në vitin 1896. Në vitin 1905, baba im tashmë ka qenë me babanë e tij në dyqan. Gjyshi nuk ka dashur që të shkollohet babai im. Djemtë kanë bartur mall edhe përtej kufirit. Babai ishte një malësor i vërtetë. Gjyshja tregonte se si e ka pasur mall t’i shohë në shtëpi të gjithë djemtë bashkë. Sadiku rrinte me plakun atje, Dini, kur shkoi njëherë në rrugë, mbeti dy vjet, duke bartur mall. Jam rritur në Kolgecaj dhe aty jam brumosur. Plaku më ka edukuar me rrugëtimin e tij. Shtëpia e tij ka qenë edhe jatak i Bajram Currit. Dy shkolla kanë qenë në Malësi. Kruma ka pasur shkollën dhe internatin me emrin “Malet tona”. Në Kolgecaj, shkolla ishte vetëm deri në klasën e katërt dhe nuk ka pasur internat. Aty kanë mësuar shumica e gjakovarëve, ose në Krumë, ose në Kolgecaj. Gjithë këta që janë shkolluar aty, pastaj kanë vazhduar mësimin në Shkodër e më vonë në Elbasan. Baba i ka afruar pranë vetes dhe u ka ndihmuar atyre fëmijëve, që kanë pasur nevojë për shkollim. Ka pasur kontakte me prindërit e tyre. Aty e kam pasur edhe axhën e vogël, në Kolgecaj. Mësimi ishte në nivel shumë të lartë. Mbasandaj e kam kuptuar pse malësorët thoshin se qendra e Malësisë është Kolgecaj. Edhe kur i është ndryshuar emri, e kam kuptuar se aty është udhëkryq, skele për shumë vendbanime të asaj ane. Aty gravitonte krejt ana e Gjakovës dhe pastaj u shtuan edhe martesat.
Në moshën gjashtëvjeçare kam hyrë në shkollë. Përgatisnim shumë manifestime të bukura e madhështore me rastin e festave.
Duke u rritur, kam dëgjuar shumë gjëra nga babai. Ai tregonte se aty, në Kolgecaj, kanë ardhur shumë herë edhe kaçakë të ikur nga anë të ndryshme të trojeve shqiptare.
Mbaj mend kur ata të Shqipërisë, në vitin 1980 e morën njëfarë interviste nga babai dhe besoj se duhet ta kenë në arkiv të Televizionit. E mbaj mend mirë atë rast, kur e intervistonin. Familjen e Asim Vokshit e kemi pasur në lagje. Asim Vokshin, baba e ka konsideruar djalë të zgjuar. E ka regjistruar në shkollë në Kolgecaj. Kur e ka kryer shkollën, ka shkuar në Tiranë. Ai më së shumti ka qëndruar në shtëpinë tonë.
A ju kujtohet fizionomia e tij?
– Jo, ai ka qenë shumë më përpara se unë. Unë asokohe nuk kam qenë akoma. Aty na ka dhënë mësim edhe mësuesi nga Gjakova, Manush Shaqa. Sa e di unë, aty ka qenë mësues edhe një tjetër gjakovar. Këtë e tha babai edhe në atë intervistën për televizion. Që nga fillimi, ky ka dashur të shihej e të mbante lidhje me Bajram Currin. U thotë se e di kodin dhe dëshiron të shihet me të. Një natë, kur kanë shkuar ta shohin Bajram Currin, e merr edhe Asimin me vete. Mësuesi, që ishte bashkë me ta, i thotë, ku po shkon ky djali i Agushit. Baba i thotë, ky me ne po vjen. Kanë qenë të armatosur. I thotë, mos e merr, se ky i ri e tregon. Ky i thotë, mos ki dert ti. Krejt rrugës u pendua që tha ashtu.
Tregonte babai, kur hyjnë këta aty, Bajram Curri i ka thënë; sa mirë ke ba që ma ke prua këtu këtë djalë edhe mësuesin Manush Shaqa. Ky ishte bukur në moshë dhe filloi të prekej. Po ky djali, kush është, kishte pyetur ai? I thotë baba se ka dëgjuar nga të moçmit se për djemtë e shtëpive atdhetare nuk pyetet dhe ata duhet të lejohen të rrinë me burra. Po kush asht ky, pra? Ky është Asim Vokshi. Pastaj Bajram Curri kishte folur me Asimin dhe kishin ndenjur nja dy a tri orë. Natën kemi shkuar, natën jemi kthyer, thoshte baba. Pastaj Asimi ka falënderuar shumë edhe mësuesin që e kanë çuar të Bajram Curri.
Këto i kam dëgjuar nga plaku. Para se të ndodhtr vetëvrasja e Bajramit, plakut i ka ardhur aty edhe Azem Galica me shokë.
Kur e binin në shtëpi dikë, nuk kemi pasur të drejtë të pyesim se kush është ai. Ata, është dashur t’i çojmë diku, nga Kolgecaj, në Valbonë, në Bujan a diku tjetër. Kur kam qenë aty, në Bujan ka qenë mësues Sahit Bakalli. Ka lënë edhe foto. Avni Rrustemin e kam parë aty. Në një rast, në dhomat që ishin aty ngjit me dyqan, kanë fjetur një natë pesë trima, edhe Shota me Azemin. Jemi parë edhe dy herë. Thoshte baba: ma kanë sjellë një herë një njeri të veshur mirë, me kravatë e me syze. Kanë çue fjalë: i kanë thënë babait, dil se po ta biem këtë njeri vonë. Nesër mbrëma duhet të çohet te Bajrami. Po të mund të çohej sonte do të kishte qenë më mirë. Kishte qenë atë natë diku nga ora nëntë. Po thonë, është dashur të vinim në orën 11, por nuk kemi mundur.
Krejt këto punë janë bërë natën. E kemi marrë atë njeri dhe me kujdesin më të madh e kemi përcjellë. Kemi pasur dy kulla dhe oborrin të madh, magazinën, dyqanin. Njëherë thotë, çka i baj këtij njeriu? Ta çoj te gratë, t’ia liroj një dhomë atje? Si ta lë në odë të burrave, që ishte ngjitas me dyqan? Për t’i fshehur gjërat më shumë, e kam marrë edhe vëllanë. Vëllai e ka pasur emrin Sadik. Ai ka qenë kaçak. Ai me plakun e kanë krijuar atë pasuri. Ai ka pasur një allti. Babai ka qenë një kavalier. Ai plak, një ditë, kur e ka parë një djalë malësori, krejt me zhele-zhele, m’i ka zhveshur pantallonat e mia dhe ia ka dhënë atij, kur isha shtatë vjeç. Kur po kalonte rrugës një malësor me atë fëmijë krejt zhele-zhele, babai më thotë mua, zhveshi pantallonat. E kanë marrë atë djalin, e kanë veshur me të tjera pantallona dhe ia kanë dhënë edhe një top stof kadifeje për të prerë pantallona të tjera. Ai malësori ka hyrë brenda, krejt zhele, por i kanë shtruar në grazhd të kalit dhe aty ka qëndruar dhe i kemi sjellë kafe e duhan. Edhe i kemi sjellë pak mjaltë për të ngrënë, për këndellje. Unë ia kam çuar kafen dhe ai më ka falënderuar shumë, e më tha, sa mirë u ba. Aty ia kemi çuar edhe darkën.
Sa herë që është dashur ta përcjellin dikë, janë marr vesh me shenja. Pa pyetur kush është. Të nesërmen e kemi marrë një njeri të rëndësishëm për ta çuar në Valbonë. Kemi pasur dy roja rrugës para nesh, se duhej shkuar në Valbonë, në Markgegaj e në Shosh. Te ne, tregonte babai, kanë qenë një njësh, një dysh dhe një tresh. Jemi nisur natën. I kemi pasur shenjat, nëse ka nevojë diçka. Rrugën e njihnin edhe ata edhe unë. Kur kemi mbërritur në kullë, na dolën më përpara, për të kuptuar edhe shenjën që kanë pasur. Më kanë pyetur, o Din a je ti? I kam thënë, Po! Hajde lirisht. Duhej të hynim brenda deri në avdeshane.
Edhe tash ka kulla, por këto nuk janë sikur kullat e moçme, sikur ato që ishin atëherë. Unë i mbaj mend mirë ato kulla. Axha i ka pasur tri vajza dhe më kanë mbajtur sikur pëllumbin. Baba tregonte se si duhej të jenë dy veta përpara, si vëzhgues, si pararojë. Pas tyre ecte ky mysafiri dhe dy burra të tjerë mbrapa tij.
Kur kemi hyrë brenda, është dashur të hynin dy, që ishin pararojë dhe ky mysafiri, ndërsa dy veta mbeteshin në shkallë. Baba ka qenë shumë i gjatë. Ai tregonte se si Bajram Curri i kishte vënë dy duart në derë dhe shikonte kush po ngjitej shkallëve. Për t’u ngjitur, tha baba, unë kam qenë pararojë me pushkë, mysafiri mbrapa. Bajrami ka dalë në derë dhe ka thënë: A është e vërtetë që po shihemi edhe një herë me Hasan Prishtinën? Aty kam marrë vesh kë kam shoqëruar?
Në cilin vit ka qenë kjo?
– Ka qenë në vitin 1925. Diku pesë muaj pa u vra Hasani, ashtu siç tregonte baba, se mund të kem harruar. Ata janë përqafuar dhe kanë qarë me lot. Pa hyrë në odë, nuk mund të shkëputeshin nga përqafimi i njëri-tjetrit. Pastaj janë ulur. Hasani e kishte çantën afër dhe aty janë vet mes tyre. Baba tregonte se askush nuk pyeti kush jam unë. Kemi ndenjur edhe gjysmë ore.
Bajrami me ka porositur: Din banu gati. Hasanin duhet me e qit në Junik, ashtu si e ke sjellë këtu. Më ka thënë: Tjetër herë me ardhë shumë ma herët. E kam parë edhe një herë.
A dihet ku e ka çuar, te kush?
– Jo! Vetëm e ka çuar në kullë të caktuar. Baba thoshte, atë kullë e mbaj mend mirë. E di edhe ku është. Dini ka qenë për shoqërim special. Herën e parë që e ka parë Bajramin, ka ndenjur një natë aty. Tregonte si ia ka mbështjellë disa cigare Bajramit. Babai i mbështillte mirë cigaret dhe ashtu i kishte rënë në sy Bajramit. Kisha dëshirë t’i thosha diçka, por më vinte marre. Si t’i thosha? I ka pasur dy alltia, që i mbante në shokë. Një e ka pasur dhjetëshe turke dhe një e ka pasur tjetër, me grykë të gjatë dhe kalibër të madh, sa mund të hynte gishti në grykë. I them, a po të pengon ajo allti me grykë të gjatë? Ta sjellim një çfarë të duash. Kemi shitur alltia edhe në dyqan. I thotë Dinit, Bajrami: A e di ti pse e mbaj këtë allti? Këtë allti e mbaj për shpirt timin. Kështu i ka thënë plakut. Për të fundit herë, kur e kishte parë, kishte qenë për pak kohë dhe ia kishte kapur të dy duart plakut dhe ia kishte shtrënguar. Thoshte baba, ma ka ndier zemra se diçka do të ndodhte. Atë ditë i kishte thënë; Din, ma ban hallall.
Sa kohë më vonë u vra Bajrami?
– Si tregonte Dini, diku pesë javë pas atij shtrëngimit të duarve dhe që i ka thënë, Din, ma ban hallall, është vrarë Bajram Curri. Rruga për Bajram Curr binte nëpër Kolgecaj.
Qau e vajtoi krejt Malësia!
Tregonte babai, se si aty kishte ardhur Kadri Mehmeti me ushtarë e policë. Babai tha se e ka parë të vdekur Bajram Begun dhe nuk kishte pasur kapak të kresë hiç. Kishte ardhur në dyqan Kadriu. Më ka thënë: Din – mbaju, Din mbaju. Baba i thotë Kadriut: a ban me t’u lutë diçka? Kadriu i thotë, çka? Me ja lidhë kryet Bajramit e mos me u koritë Malësia ashtu? Po, ka thënë Kadriu. E kanë marrë e ia kanë lidhur kryet me atë shall të bardhë, që shihet edhe në fotografi. E kanë qitur në kalë, mbi samar. Poshtë samarit, ia kanë lidhur dy këmbët për të qëndruar ashtu vertikalisht, siç shihet edhe sot në fotografi. Krejt këto i ka bërë baba Din.
E gëzohet atëherë dikush për atë vrasje, gjë që shihet më vonë!
Po kë e vramë ne, more?
Mbasandaj e kanë marrë në pyetje babën, qysh e ke ba si nuse atë tradhtar e kështu e kështu. Baba u thotë, unë e kam lidhur kështu.
Po çka ke ti me të?
Tregonte, më morën me vete dhe ma morën edhe një pushkë që e kam pasur e më dërguan në Kukës. I kanë thënë babait se ti ke pasur lidhje me Bajram Currin. Në Shkodër e kanë mbajtur mbi një muaj. Ka shkuar axha, që ka qenë ma i moçëm se baba, dhe e ka nxjerrë me ari, pastaj ka ardhur në shtëpi.
Ky është kujtim nga babai.
Ka qenë tregtar, por ka gëzuar një autoritet nga malësorët, por edhe nga krejt rrethina.
Çka ju kujtohet, çka tregonin pleqtë, çka kanë mbajtur mend nga viti 1912, kur Serbia e pushton Gjakovën? Për masakrat që ka bërë Serbia aty?
– E di një gjë se, me kapitullimin e Mbretërisë Serbe, i kam dëgjuar se kanë thënë duhet të ikim në mal, se po vjen ushtria serbe. Babai, si i ri që ka qenë, i ka pyetur, pse të ikim? Kanë kaluar kah Kolgecajt ushtria serbe, krejt e çarmatosur, krejt pa armë, krejt zhele-zhele. I kam parë vetë si fëmijë, thoshte baba. I kam parë tek hanin kallamboq pa zier fare, sikur bagëtia. Nuk kishin mbetur ushtarët as nga 30 kilogramë. Me ato pallto ushtarake të shqyera, shumica edhe pa këpucë. As nuk flisnin, as nuk bënin zë. Vetëm kalonin atypari. Na, duke u frikuar se po vjen ajo ushtri me armë, e ata kishin qenë krejt pa armë. Një kolonë ushtarësh të mjerë. Ata dukeshin më të drobitur se ushtarët e zënë robër.
Odën e kemi pasur të madhe. Plaku më ka marrë me vete ndonjëherë, vetëm që të dëgjoja në odë. E kam pas dëgjuar herët, që neve gjakovarëve na kanë thënë bythë-pambuk. Më vonë e kam marr vesh krejt këtë thënie. Një ditë, erdhi një bajraktar i vjetër dhe ai më tha; ku jeni ju bythë-pambuk? Pas tij erdhi një djalë i një bajraktari tjetër dhe, kur e pa këtë plakun, i tha, po ulem e ta dredhim nga një cigare duhan. Ky bajraktari plak po i thotë atij më të riut që t’i çonte të fala Pjetër Bajraktarit. Ky po i thotë, ani, se shkoj me kali dhe e çoj porosinë. Kur ia tha t’i thoshte: “Shoki i hutit asht shoki i m…t”……! – ky i riu iu përgjigj: unë këso fjalësh nuk i çoj.
Një gjë mos harroni! Ajo punë është shumë e vjetër.
Bacës Din ia kemi borxh këtë.
Njëherë, më vonë, Fadili i kishte thënë babës të blinte edhe një dyqan në Gjakovë, e ky i thotë – jo. Ai i thotë: Ti, Din, ke pare boll. Po, pare kam pas boll – i thotë baba, por na i mori Enveri, e hallall i qoftë, se me ato lira hapi shkolla në çdo fshat, e jo me na i marrë paret si ju, që na i morët, e i keni ngrënë me Serbinë bashkë.
Njëherë kishim një të pame. Po vjen Fadili me Xhevdet Hamzën. Një grua, që i ka parë nga ballkoni, thotë; mos po vijnë këtu me pa? I themi se po shkojnë diku tjetër, së këtu nuk vijnë. Kur po i shoh te dera, ata të dytë. Dola te dera. M’u duk që po tutet mos po i them hupni prej këtu! Unë u thash këtyre shokëve e miqve, që ishin në pritje, këta të priten si asht më së miri!
Hynë brenda! Fadili e mori fjalën e po thotë që nuk kishte qenë këtu, se do të kishte ardhur edhe në varrim. Gjithçka shkoi shumë mirë. Këtu edhe vetë e pata ndryshuar pak zakonin. Një cigare e kalli Fadili. Ishte aty edhe Mehmet Gjevori. Ata të dy bisedonin për shkollën normale. Kush vinte, kur e shihte ulur aty Fadilin, donin të ktheheshin mbrapa. Thoshin; çka do Fadili këtu? E vërejta unë këtë punë. Ia nisi Fadili po flet e po flet. E ndryshoi krejt bisedën. Fadili e kërkoi edhe një kafe. Në atë ndërkohë po flet Xhevdeti. Ai po thotë: Fatmir, kjo banesë, e kujt asht? Po pyet: a është e Avniut, a asht e jotja? Ky Fatmiri i tha se banesa është e vëllait! Po a e lexuam shenjën në rrugë, që e pamja është të Avni Lama, po i thotë Fadili Xhevdetit; Kur erdhëm këtu, a pyetem e kujt është kjo banesë, e na thanë e Avni Lamës? Ani çka po vet, e kritikoi Fadili, Xhevdetin. E ndryshoi krejt bisedën e po thotë; a mbani mend kur ra Lia e Madhe, e baca Din na çoi të gjithëve atje në Valbonë. Me kalë na ka çuar. Sa veta kemi qenë? Më duket kemi qenë shtatë. A e mbani mend kur kemi pjekur bukë me miell gështenjash atje, se ka pasur mungesë buke? A të kujtohet ai plaku me mustaqe? E qysh e harrove atë njeri kur erdhe këtu? A po sheh këtë Avniun, e këta të dy (ishin disa miq të pranishëm aty). Po, këta kanë bërë jetë së bashku shumë kohë dhe në rrethana të vështira. Fadili e Xhevdeti ndenjën një orë e gjysmë dhe dolën.
Të nesërmen erdhën dy shokë e u tregova që kanë qenë edhe ata të dy; Fadili e Xhevdeti! Po më thonë ata shokët: pse kanë ardhur, kur ke qenë ti në burg, nuk e kanë thënë një fjalë. Po as Fatmiri nuk ka shkuar t’u thotë hiç, ndihmoni atij Avniut, e ta lirojnë nga burgu. Për nder, ky Xhevdeti edhe tash, kur të shkojë në UDB, po bëri e pyetën ata ku ke qenë, u thotë, më ka çuar Fadili, se kam menduar që asht banesa e Fatmirit, e i bie krejt rrotull.
Ai Xhevdeti me ka dalë përpara edhe nën hetime kur kam qenë. Fadili e qortoi Xhevdetin dhe ia tha të vërtetën. Ky Xhevdeti nuk mundte të m’i lëshonte sytë krejt kohen. Fadili gjithmonë ka qenë më i kthjellët. Fadili rrinte ndryshe. Fadili e Dini kanë ndarë bashkë shumë gjera. Këtu ka pas ardhur me veturë 101-ësh, jo me Mercedes. Bile një mik i vëllait kishte ardhur atë ditë që ishin Fadili e Xhevdeti, e kur donte të largohej të ecte, këta e patën ndalur edhe pak. Ai ka qenë dikur me Sokol Dobrunën e me këta. E kam pasur edhe arsimtar. Kur e përcolla, ai po më thotë: Kuku për mua e për ty, kë e pashë këtu.
Si e sqaroni këtë punën e Fadilit? Ai e quajti rininë e Kosovës pleh. Bira e miut 300 groshë? Edhe pasi protestuan gratë serbe, ai nuk foli. I kanë thënë shumë herë, fol Fadil, se është koha? Si e shihni ju këtë, baca Avni?
– Kjo ka ndodhur pak më vonë. E marr parasysh edhe naivitetin e tij. Tash është plakur e është matufosur. Dështimi më i madh i tij (Fadilit) është kur e ka demantuar Deklaratën e Bujanit me shkrim, e në vazhdime në gazetë. Këto të tjerat, janë tepër imtësi. Ai ka qenë një i përkëdhelur i Titos. Unë nuk e di sa është e vërtetë kjo që thuhet.
Për mua, ai demanti që i ka bërë Bujanit, ai shkrim i tij, është i qelbur.
A nuk i kujtohen këtij njeriu shokët që kanë qenë aty në Bujan; Xheladin Hana, Zekeria Rexha, Hajdar Dushi?
– Këtë ma ka thënë edhe Sami Peja. Nuk i kujtohet këtij që, kur e kanë thirrur diçka lart Hajdar Dushin, poshtë ka qenë Paloka (serb) me këta. Tek i ka parë si e kanë mbarështuar konceptin e Deklaratës së Bujanit, Hajdarin e kanë thirrur të shkonte në odë. Në kohën kur Paloka (nofkë e serbit) ka dashur ta ndërrojë një pasus, në atë moment ka ardhur Hajdari dhe ka pyetur, çfarë po bëni dhe i ka rënë shpullë atij Palokës (serb).
Ka pasur aty edhe serbë?
– Po, shtatë serbë kanë qenë aty. I ka thënë atij serbit, pse përzihesh këtu? Këtu është Partia Komuniste e Shqipërisë. Këtu ne vendosim. Ti je vetëm delegat. Këto m’i ka thënë Sami Peja, që ka qenë rojë aty. Ramizi ka qenë aty. Ky ta demantojë atë mbledhje historike, e ta marrë rinia jonë gazetën, e ta lexojë prej Fadilit, kjo nuk falet. Është një fjalë e urtë e moçme; “Me vdek për atdhe, asht si me le”!
Ngjashëm thuhet edhe në himnin kombëtar?
– Ajo sentencë, ajo fjali u realizua me UÇK-në.
Për ta harruar këtë fjali, na ka detyruar varfëria, skamja, papunësia. E ky Fadili u çua bash kur u bënë demonstratat e po i quan pleh rininë e Kosovës, e po e demanton Bujanin në gazetë, kjo nuk i falet. Ka dashur ta minimizojë këtë, e të mos thotë ashtu për krejt popullin, por kinse po thotë vetëm për rininë. Edhe ajo fjalia tjetër që e thotë “Bira e minit 300 groshë”, dëshmon se ky i ka harruar gjithë ata që janë pushkatuar pa gjyq e me gjyq, që kanë vdekur nëpër burgje, por edhe shumë të tjerë, të cilëve nuk u dihet as emri as varri, që janë vrarë natën e janë zhdukur. Askush nuk e di numrin e të vrarëve pas Kuvendit të Prizrenit.
Jo, po thonë ka qenë komandant!?
– Ajo ka qenë detyrë që ka pasur ndaj atdheut. Në emër të tij ka shkuar krejt aradhja. Çka thotë Fadili tash, por ai nuk ka qenë konsulent për asgjë.
Unë zhvillimet e ’81-shit i kam quajtur revolucion.
Pas Kuvendit të Prizrenit, baca Ramiz Cërrnica i thotë Fadilit: “Fadil, të kam njohur si trim, por që je kaq qyqar, nuk e kam ditur”. Ne jemi nisur për lirinë e atdheut e jo për tradhti kombëtare. Pse nuk foli Fadili?
– Tërë kohën ka qenë një demagog!
Ka thënë se me Serbi jemi të vegjël të luftojmë. Serbia është fuqi e madhe. Serbia është më e mira ndër ne. Kur ka thënë Rezak Shala për republikë që po kërkohet, ky Fadili ka shkuar e i ka thënë Titos: nuk janë pjekur kushtet. Tito i ka thënë ka probleme këtu, por duhet të bëhet diçka e të zgjidhet kjo punë. Unë nuk di çka po ndodh atje. Ju e dini mirë se çka kanë kërkuar nëpër komitetet komunale.
Për shembull, edhe unë vetë nuk mund ta di se çka po ndodh në Gjilan, por për Gjakovë e di çka po ndodh e çka po flitet. Nëpër ato diskutime ka pasur edhe serbë. Por pse ky (Fadili) nuk u tregua njëherë burrë, bre? Të thoshte, boll kam jetuar e të flas një herë të vërtetën, edhe nëse më vrasin. Por ky heshti.
Nëse është fjala për një debil, si Xhevdet Hamza, apo ndonjë tjetër që nuk kanë k… hajde, mund të arsyetohet, por Fadili, pse? Pse Fadili, të cilin e ka nderuar ushtria, pse nuk foli? Fadili dallohet se as shtëpi nuk ka pasur sikur Veli Deva. U mundua ndonjëherë, bre, të hidhte ndonjë shkelm, por fare ligsht, për shembull kur është mbyllur gjimnazi i Gjakovës.
Ky kishte qenë naiv dhe njeri i karriges dhe ashtu del edhe karrierist. Edhe Ali Shukrisë ka mundur t’ia japë një shkelm e ta kishte nxjerrë si një qen përjashta, për të cilin i ka pas thënë edhe Enverit se është një qen i zgjebosur.
Të gjitha i kam ndjekur e i kam kapërdirë diqysh, por demantimin e Bujanit, nuk mund e kam kapërdirë dot. Edhe sot lexoj çdo gazetë. Leximi më duket si ushqim. E dëgjoj Evropën e Lirë edhe serbisht, për të kuptuar më shumë. Ky, bre, me atë demantim të Bujanit me shkrim në gazetë, e tregoi veten sa servil ishte ndaj pushtetit jugosllav.
Hajde përmirësoje çka ke thënë në Bujan? Si mund të bëhet kjo?
Dihet edhe sa e ka lutur Ramiz Cerrnicën për t’i rënë pishman për atë që ka folur në Kuvendin e Prizrenit. Tërë natën nëpër korridore duke i thënë, ah, bre, Ramiz, na more në qafë. Tash do të na vrasin të gjithëve. Me këtë qëndrim, kështu, ai ka mbetur një mistrec i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. E dimë si ka nisur lëvizja. Ne e kemi ditur si ka filluar dhe si kanë qenë të përzier të gjithë, edhe serbi, edhe greku edhe rusi, edhe ai tjetri. Në embrion na kanë tradhtuar. Krejt ortodoksizmi ka qenë kundër nesh.
E dimë mirë edhe kur i kanë dërguar kolonat e shqiptarëve për Tivar. E ka ditur ky që e ka dërguar këtu brigadën nga Mali i Zi. “Bokelska Brigada” ka qenë njësit masakrues në Gjakovë.
Pak po e bëjmë një digresion.
Po tregoj për atë që kam parë vet. Jemi rritur bashkë me Kadri Kusarin. Jemi lakuriqësuar fare e kemi shkuar për t’u larë në Lukavc. Në ujë kemi gjetur këmbë e duar njerëzish të mbytur, fill pas luftës. Kemi gjetur njeri me plis e me shall në kokë, të mbytur. Aty ishte uji i cekët dhe kishin dalë kufomat gati në sipërfaqe. Unë isha 13 vjeç e ai Dushi 10 vjeç. Ato pamje më janë kujtuar edhe në qeli, kur kam qenë në burg. Të gjitha i ka ditur Fadili. Nuk e di si u ka bërë sabër krejt këtyre gjerave që kanë ndodhur.
Sot, në Gjakovë nuk ke ku të rrish nga “patriotët”, që flasin gjithë ditën për heroizmat e tyre. Njëherë, duke i dëgjuar ata, një shok po u thotë: unë për vete, kur po ju dëgjoj, nuk po di a jam shqiptar apo jo? Ai i ka lënë ato sende pa nxjerrë në sipërfaqe. Ka thënë shumë herë, se do t’i nxjerrë, por kurrë nuk i ka nxjerrë. E kur do t’i nxjerrë ato? I merr me vete në varr.
Këta paskan thënë se UÇK-ja e ka embrionin në LNÇ? Mes tyre ka dallim të madh. Këta kanë luftuar së bashku me serbët në LNÇ, e UÇK-ja ka luftuar kundër serbëve, kundër shkaut. Këtu ka dallim të madh. Këta me LNÇ-në kanë marrë pjesë në masakra, në krime, kurse UÇK-ja ku është këtu?
– Ta lidhim me një tërësi tjetër. Babën në të ‘46-tën, pas gjyqit, e morën në burg. OZN-a në atë kohë bënte kërdi. Shokët e babës po pyesin, si bëhet kjo punë? Unë vetë i dërgoja bukë e duhan në burg. Të bisedoja me të, nuk kisha të drejtë. Në rrugën e shkive, këtu në Gjakovë, ka qenë një shtëpi dy-tre kat dhe aty e kanë pas bërë burgun. Në atë kohë është burgosur Selman Lleshi, që ka pas ardhur nga Shqipëria, ka qenë drejtor i gjimnazit. Skënder Curri na jepte fizikë dhe lëndë shkencore. Zef Lekaj – gjuhë shqipe, Selman Riza… I zunë ata. Edhe Sokol Dobroshin. Baba m’i ka pas thënë disa fjalë, kur është përmendur Llukavci, me ato kufomat e skeletet që i kemi parë. Unë i tregoja babës, e ai po më thotë: Avni, more babë, kemi qenë tue u rrue në burg. Nazmi Kursani ka qenë në punë atëherë, ka qenë edhe ai Çeda Topalloviqi me ata të tjerët. Ka qenë një malazias me mbiemër Mugosha, por jo ai Dushani, po një tjetër i OZN-ës. Qysh i kanë rrua të burgosurit dihet. Një a dy herë në javë. Po thotë baba: pritshim në rend për rrojë, kur ka ardhur dikush prej atyre të OZN-ës e po pyet këtë berberin, cili është në rend. Ky po tregon si është rendi, e ai i OZN-ës po i thotë për njërin që priste të rruhet; hajt se sonte këtë e rruajmë ne.
E, more babë, more Avni, më nuk e kemi pa atë njeri, që ishte në burg me ne. Ndoshta ka qenë bash ai aty, me ato skeletet që i keni parë në lumë. Atë që po priste për t’u rruar, e morën nga rendi dhe nuk e kthyen më. Na e ka pas treguar edhe emrin e tij, ka qenë katolik. Ka qenë atdhetar i madh e fisnik. Ka ndodhur kur i kanë marrë edhe nga tre veta në mbrëmje, por ata plaku nuk i ka parë më.
E dija pak pse e morën babën. E dija dhe thosha ndoshta e morën pse ka punuar në tregti, apo pse ia ka lidhur kokën Bajram Currit të vrarë.
Rrënjët e kësaj pune janë thellë.
Po bëhej njëfarë mbledhje atje në të 46-tën, donin t’i pranonin tre veta në SKOJ. Më thirrën edhe mua aty. Thanë po duan të na pyesin edhe ne. E lexojnë aty edhe emrin e Pajazit Nushit, Açif Binishit edhe Avni Lama. Nuk dija asgjë. Po thonë se këta janë djem të ndershëm. Nuk dija realisht, a të pranoja apo jo. Isha 13 vjeç. Kur u ktheva, e shoh babën që kishte shtruar për të pirë e po bën muhabet. Unë po qesh. Ai po më pyet, çka u bë? Unë po qesh, e po i them, më kanë pranuar në parti, në SKOJ. Hajt, bre babë, se shpejt do të të heqin. Hajt, se nuk është gjë kjo punë. E pyes një shok, e ai thotë; po, na kanë propozuar. Aqif Binishi e kishte lidhjen me Faik Nixhën, komunist i vjetër, kishte lidhje edhe nga Zherkajt. Pajazit Nushi e kishte lidhjen nga daja. Sheh Danjollin e ka pas dajë. Ai dikur qe bërë anëtar i Këshillit Nacional. Më vonë krejt populli e thërrisnin sheh Danilla. Në teqenë e tij përgatisnin diversantët që i çonin në Morinë. “Shoki i hutit u ba shok i mutit”, që i pat thënë ai bajraktari atij djalit. Plaku po më thotë, hajt se të largojnë shpejt. Pas dy ditësh, po më thërrasin. Shkova vetëm. Po hyj aty. Naim Zajmi, kryetar i rinisë, Xen Zherka, Faik Riza dhe Selatin Bigazi, njëfarë pisi, që i rrihte pleqtë në pazar. Ishte edhe Faherdin Hoxha, megjithëse ka qenë pak në burg më vonë. Ishte Shemsedin Maseni. Po më thërrasin e po më thonë, shiko, ti tash bahesh SKOJ-ist e duhet të na tregosh a ka pasur ndonjë lidhje axha në Shkodër. Partia është më e madhe se familja. Ti edhe nëse na tregon për këto gjëra, nuk del hapur kundër plakut tënd, por ne i tregojmë ato që ka bërë ai, e ti na i tregon neve.
Na tregon sa herë ka çuar mall në Tropojë a në Pejë?
Para një a dy jave, që më thirrën mua, pati ardhur plaku nga Shkodra e m’i pati sjellë do këpucë italiane, pantallona të bukura, bluzë. Menjëherë po shoh që po duanë të më shtyjnë me të flas kundër plakut (babait). Jam kthyer e i kam shikuar mirë pantallonat. Mendova pak dhe u thash; unë nuk pranoj të flas kundër babait tim. Ani, pra, duhet të dalësh nga kjo organizatë, më thanë menjëherë. Dola, e lëshova mbledhjen, e ata më lusnin: mos kështu, e mos kështu. Ti qenke axhami e ne të kemi zgjedhur nga krejt masa e shkollës. Kur u ktheva, si e pashë babën, i thashë: baba, unë dola prej partisë. I tregova krejt. Baba tha, hajt se mirë qenka bërë!
Më 1978, më ka thënë një gjakovar që punonte përkthyes aty në Lidhjen e Luftëtarëve, kur ka qenë aty në pozitë Safete Nimani. Ajo vetë e kishte parë të shënuar në letër krejt këtë histori. Një herë më tha: Avni, ti kishe qenë tri ditë në SKOJ.
Kur kam ardhur profesor në Gjakovë, edhe aty filluan të më lidhnin me këto gjëra. Të gjitha ishin intriga, se nuk kanë pas lidhje me Informbyronë apo me Stalinin. Mua më ka rritur e më ka kalitur Malësia me këtë natyrë malësori që kam. Më ka formuar Kolgecaj në një periudhë nëntëvjeçare. Krejt rrugëtimi i plakut më ka mbetur në mend dhe është brumosur në mua.
Kadri Kusarin e kam pasur shok të ngushtë. Një pjesë e imja e jetës është e lidhur me të.
(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës.) /Epoka e re/