I ikën tatimeve, këngëtarët s’kanë ‘fytyrë’ të kërkojnë ndihmë nga shteti
Arritja e pandemisë COVID19 në Kosovë që nga marsi i këtij viti, ka lënë pasoja të shumta.
Shumë njerëz vdiqën, me mijëra të tjerë u infektuan e përpos njerëzve, të goditura mbetën edhe fusha të tjera, siç janë ekonomia e arsimi.
Por, përpos situatës kaotike që u shkaktua në Kosovë, si popull qejfli që jemi, thuajse më shumë është diskutuar çështja se a do mbahen dasmat a po jo, se sa ndoshta si të dalim nga kjo situatë.
Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur që dasmat dhe tubimet e ngjashme të anulohen, për shkak të rritjes së madhe të numrit të të infektuar me Covid19.
Edhe pse pati ankesa e protesta për këtë vendim, prapë se prapë, dasmat dhe koncertet e këngëtarëve janë të anuluara.
Nga ana tjetër, shumë i prekur nga ndalimi i tillë ka mbetur edhe sektori i gastronomisë, por, Shoqata e Gastronomëve ka dërguar kërkesën e tyre te organet kompentete, për rimburësim për humbjeve që u shkaktohen.
Ata kërkuan riprogramimin e kësteve të kredisë; lehtësira për qasje në financa; përkrahje për pagat dhe qiratë, së paku edhe për tre muaj dhe shtyrje të deklarimeve dhe pagesave të tatimeve, së paku edhe për tre muaj.
Përpos këtyre pikave, asgjë më shumë nga qeveria nuk po pret as Alban Sejdiu, menaxheri i Bab Clubit në Prishtinë.
Për Syri.net Kosova, Sejdiu tha se shpresa e tyre e vetme është që të mos të shtohen rastet të reja, të mos ketë viktima në njerëz dhe të nis puna siç ka qenë çdoherë.
“Urojmë që mos të kemi vdekje të reja e sa u përket humbjeve financiare, do të ketë të tilla shumë, por, nuk është se presim ndonjë rimburësim të madh nga Qeveria Hoti. Ne i kemi dërguar kërkesat tona bashkë me Shoqatën e Gastronomëve, urojmë të plotësohen të paktën këto pika” tha ai.
Sejdiu shtoi se shtesën prej Pakos Emergjente e kanë marrë vetëm për një muaj.
“Për një muaj i kanë marrë punëtorët 170 Euro, më as nuk janë përmend ndihmat tjera. Të paktën të na lehtësojnë në pagesën e punëtorëve” shtoi tutje ai.
Ndonëse lokalet e restorantet ku bëhet muzikë mund të kenë lehtësira e ndihmë nga qeveria, janë këngëtarët ata që nuk ndihmohen nga shteti.
Por, sa e kryjen këngëtarët obligimin ndaj shtetit me pagesën e tatimeve nga përfitimet e tyre, në mënyrë që ata të kenë ‘fytyrë” që të kërkojnë më pas ndihmë nga shteti?
Syri.net Kosova ka kërkuar nga ATK-ja një listë për të parë se kush janë nga emrat e njohur që kanë shumë mbrëmje e koncerte, të cilët më pas kanë paguar detyrimet ndaj shtetit.
Sipas zyrtares për informim nga ATK, Valentina Bytyqi-Sefa, një listë e tillë nuk mund të dërgohet për shkak të kufizimeve ligjore, por, është dërguar nga ana e saj një raport për pagesën e tatimeve nga këngëtarët për vitin 2019.
“Kjo kategori e këngëtarëve për vitin 2019 ka paguar tatim në vlerë 759,030 euro, po ashtu gjatë këtij viti-2019 janë realizuar 204 vizita , ku si rezultat i tyre janë inkasuar 261,951 euro, po ashtu kemi pasur edhe 136 gjoba” thuhet në raportin e ATK-së.
Tash, nëse e bëjmë një llogaritje, për një këngëtar/e që mesatarisht ka 50 mbrëmje muzikore ose dasma, gjatë gjithë vitit dhe nëse në një mbrëmje merr një mesatare prej 3000 mijë euro, këngëtari/ja në fjalë për një vit fiton 150.000 euro.
Pra, nëse një këngëtar/e i fiton mesatarisht 150.000 euro në vit nga muzika, siç e kërkon ATK-ja, obligimi duhet të paguhet 5% e fitimit, pra që i bie 7.500 euro në vit.
Nëse bëjmë llogaritje, në vitin 2019 janë paguar tatim 759.030 Euro, që i bije kanë rreth 100 këngëtarë që kanë paguar tatimin nga 7.500 euro.
Por, duke ditur se në Kosovë operojnë me qindra këngëtarë si në dasma dhe evente tjera muzikore, atëherë i bie që ky deklarim në ATK është jashtëzakonisht i ulët, pasi që dihet se shumë këngëtarë realizojnë edhe më shumë se 50 koncerte brenda vitit, madje, mund në shumicën e rasteve paguhen edhe më shumë se 3000 euro.
Sidoqoftë, ky injorim që këngëtarët kanë bërë duke mos i paguar tatimet, nënkuptohet se shteti nuk mund t’iu ofrojë ndihmë atyre.
Ata mbesin në pritje të përmirësimit të situatës, edhe pse disa prej tyre kanë buxhet që mund të mbijetojnë edhe për vite tjera.
Të paktën kështu pati deklaruar në fillim të pandemisë, menaxheri i Medës, Sinanit, Vjollca Haxhiut e Shkëlzen Jetishit, Emrush Thaçi.
Thaçi për Syri.net Kosova tha se “Nëse e shikojmë në këndin individual, nuk është se mund të dëmtohen këngëtarët që janë më emër, pasi ata kanë një buxhet që me të mund ta shtyejnë edhe një apo dy vite tjera. Por, ata që do të dëmtohen janë pjesa tjetër zinxhirore në dasma”.