I infektuari nga Janjeva ka marrë pjesë në ndeja

20 mars 2020 | 09:39

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se Lipjani nuk është imun dhe se nuk ka mundur të shpëtonte pa pasur ndonjë rast me koronavirus. Ai thotë se i infektuari i fundit në Kosovës është një qytetar nga Lipjani, i kthyer nga Berlini.

Ahmeti ka thënë se ai është testuar edhe ditën e parë kur ka ardhur, por nuk ka pasur simptoma, ndërkaq sot pas testimit është konfirmuar se është prekur nga pandemia Covid 19.

Ai thotë se i njëjti ka lëvizur nëpër fshatin ku banon, ka shkuar në restorante dhe ndeja të ndryshme.

“Nuk kem mjete të tjera përveç që qytetarët të lajmërojnë raste të tilla dhe njerëzit ta respektojnë masën e vetizolimit. Ka shqetësime te banorët e Janjevës sepse ka pasur kontakte dhe komunikim me njerëz të tjerë dhe të njëjtit ndihen të rrezikuar. Këshilla ime është që të gjithë që kthehen nga jashtë të vetizolohen që të mos rrezikohet shëndeti i të tjerëve”, ka thënë ai.

Ahmeti përmes një lidhje direkte në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është e pamundur të kontrollohen të gjithë qytetarët, por shton se ata duhet vetë të kujdesen.

Ai ka shtuar se që nga fillimi Lipjani ka dezinfektuar objektet publike, autobusët, stacionet, objektet sportive e rrugët. Sipas tij, edhe stafi mjekësor është pajisur me mjetet e nevojshme mbrojtëse.

“Unë mendoj se masat në Lipjan po respektohen, një pjesë e madhe e qytetarëve nuk po lëvizin, megjithatë jo në masën e dëshirueshme. Fjalën e kam për njerëzit të cilët janë kthyer në Kosovë. Këto familje duhet ta kursejnë shëndetin e të gjithë neve”, ka thënë ai.

Sipas tij, kapacitetet e institucioneve të komunës nuk janë shfrytëzuar ende. Ai ka thënë se nëse ka informacione se do të ketë përhapje më të madhe të virusit, atëherë vendi duhet të shkojë në gjendje të jashtëzakonshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi një shtetrrethim njëjavor lidhur me…