I jepet lamtumira babait të kryeredaktorit të ‘Epokës së re’, Isa Qorrajt
Sot në Carrabreg të Poshtëm të Komunës së Deçanit i është dhënë lamtumira e fundit babait të kryeredaktorit të gazetës “Epoka e re”, Mal Qorrajt, Isa Qorraj.
Isa Qorraj në moshën 59-vjeçare ndërroi jetë të enjten në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në të cilën po trajtohej që prej aksidentit të ndodhur një javë më parë.
Me rastin e vdekjes së bacës Isë, telegram ngushëllimi familjes Qorraj i ka dërguar botuesi i gazetës “Epoka e re”, Muhamet Mavraj, i cili familjes Qorraj i ka shprehur ngushëllime për humbjen e familjarit. “Veçanërisht, ngushëllime kryeredaktorit të ‘Epokës së re’, Mal Qorrajt, Ardianës dhe Arturit për humbjen e babait! Bashkëndiejmë dhe jemi me Ju! Isa Qorraj ka mundur t’i bishtnojë vajtjes në punë për shkak të vendimit qeveritar, por donte pagën me nder. Një djalosh i ri, me shpejtësi të lartë e goditi për fatalitet teksa ky kthehej nga puna!”, ka shkruar Mavraj në telegramin ngushëllues.
Telegram ngushëllimi familjes Qorraj i ka dërguar edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka thënë se Isa Qorraj ka qenë burrë i besës dhe i fjalës. “Sot, si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur ditë më parë, paska ikur në amshim punëtori i Ndërmarrjes Rajonale ‘Drini i Bardhë’ në Deçan, Isa Qorraj nga Carrabregu i Poshtëm. Isanë do ta kujtojmë gjithmonë si burrë të besës dhe fjalës, bashkëpunëtor i shkëlqyer, i përgjegjshëm dhe i përkushtuar për kryerjen e detyrave të punës. Ngushëllime familjes Qorraj dhe të afërmve! I lehtë i qoftë dheu!”, ka shprehur ngushëllime Ramosaj.
Ngushëllime familjes Qorraj i ka shprehur edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
“I nderuari Mal, Ju dhe gjithë familjes ju shprehi ngushllimet e mia më të thella për babain Tuaj! Jam i bindur se do të gjeni forcën që të përballoni dhembjen familjare që e keni”, ka shkruar Sejdiu në telegramin ngushëllues.
Edhe zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri ka ngushëlluar familjen Qorraj.
“I nderuar Mal. Me lejo të shpreh ngushëllimet e mia me të sinqerta personalisht dhe gjithë familjes së respektuar Qorraj. U prehtë në paqe baba Isë”, ka ngushëlluar Tahiri.
Ngushëllime familjes Qorraj i kanë shprehur edhe deputetë, kryetarë komunash dhe ish-ministra.
(V.Z / Epoka e re)