I jepet lamtumira e fundit, Hajdin Berishës
I është dhënë lamtumira Hajdin Berishës, kryetarit të Nismës Socialdemokrate, dega në Malishevë i cili vdiq papritur ditën e djeshme.
Berisha i cili aktualisht ishte drejtor i shëndetësisë në këtë komunë, vdiq siç u tha nga një sulm kardiak. Veprën e tij, që nga rinia i cili ishte pjesë e lëvizjes për liri, mandej ushtarë i UÇK-së e paslufte i përfshirë në institucione të ndryshme, është vlerësuar lartë nga qindra qytetarë që fillimisht u mblodhën në një mbledhje komemorative.
Ata e vlerësuan lartë kontributin e tij para, gjatë e pasluftës.
Kryetari i veteranëve më Malishevë Metush Kryeziu, tha se Berisha ishte shquar për angazhimin e tij në luftë, e që edhe pse ishte plagosur, kishte rezistuar gjatë gjithë kohës. Ndërsa shtoi se ishte njeri i të gjithëve pasluftës, pavarësisht përkatësisë politike. Sipas tij, Berisha u bë veterani i 118 që vdiq paslufte në komunën e Malishevës.
Kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se Berisha kishe besim se çështja shqiptare nuk mund të zgjidhej ndryshe pa i dal përpara armikut. Andaj, Kastrati tha se ai kishte vlera të larta dhe një njeri shumë solidar, sidomos gjatë periudhës së pandemisë, që si nënkryetar komune e kishte menaxhuar situatën pandemike.