I jepet lamtumira e fundit ish-komandantit të UÇK-së, Halim Tolaj (Foto)
Të dielën në Komunën e Deçanit i është dhënë lamtumira e fundit ish-komandantit UÇK-së, Halim Tolaj nga Prejlepi i Deçanit.
Ai është varrosur në kompleksin e varrezave të dëshmorëve të kombit në fshatin Prejlep. Në nderim të veprës së Halim Tolajt, Komuna e Deçanit, e drejtuar nga Bashkim Ramosaj, ka organizuar një mbledhje komemorative në Sallën e Asamblesë Komunale.
Në varrimin e Halim Tolaj ka marrë pjesë edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se ish-komandanti i UÇK-së, Halim Tolaj, ishte burrë i rrallë që qëndroi i paluhatur në parimet shqiptare. “Jetën e vuri në shërbim të vendit e të lirisë. Pusho i qetë, bashkëluftëtari ynë Halim Tolaj!”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.
Ish-bashkëluftëtari i Halim Tolajt, Daut Haradinaj, ka thënë se ka njohur shumë burra të Zot në luftë, por të rrallë ishin ata si Halim Tolaj. “Do të kujtoj gjithmonë sikurse të kam njohur në vijat e luftës, kreshnik burrë”, ka thënë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj.
/Epoka e re/