I jepet lamtumira e fundit rreshterit Bunjaku
25 shtator 2023
| 17:13
I është dhënë lamtumira e fundit rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili është vrarë të dielën në veri të vendit në përballje me bandat kriminale serbe.
Në ceremoninë e varrimit në Samadrexhë të Vushtrrisë kanë marrë pjesë përfaqësuesit e institucioneve, partive politike, ambasadorë të vendeve mike dhe qytetarë të shumtë.
Para se të përcillet për në banesën e fundit, presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur rreshterin Bunjaku hero të Kosovës.
Ajo ka thënë se Bunjaku ka sakrifikuar jetën e tij për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.