I jepet lamtumira e fundit veprimtares së çështjes kombëtare Nazire Zogaj
Sot në teatrin “Adriana” në Ferizaj qindra qytetarë, të prirë nga kryetari i Komunës, Agim Aliu, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zëvendësministra, përfaqësues e drejtues të institucioneve politike e shoqërore, drejtues të Shoqatës të të Burgosurve Politik të Kosovës, veprimtarë të çështjes kombëtare e familjarë të tyre nga të gjitha trojet etnike shqiptare, në hollin e teatrit, i dhanë lamtumirën e fundit veprimtares e mësueses së dalluar, Nazire Zogaj e cila të shtunën ndërroi jetë.
Në fjalën e tij në këtë mbledhje komemorative, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka thënë se humbën, një grua, një familjare, një veprimtare, një sypatrembur e edukonjëse të brezave, humbën e po i japim lamtumirën e fundit, ikonës së mospërkuljes, mësueses së brezave, zonjën që në çdo shkronjë të kësaj fjale merr kuptim, Nazire Zogaj.
Ndërkaq kryetari i Shoqatës të të Burgosurve Politik të Kosovës, Hydajet Hyseni ka evokuar kujtime e rrëfime nga periudhat e burgut të të ndjerës si dhe ka folur për veprimtarinë e përbashkët e rolin që kishte në demonstrimet popullore kundër robërisë serbe.
Vlerësimet më të larta për personalitetin e të ndjerës, guximin, dijen e atdhedashurinë e saj dha edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, veprimtari dhe ish i burgosur politik, Elmi Reçica. Ai ka thënë se Nazire Zogaj ka qenë një nga veprimtaret më të dëshmuara, më atdhetaret dhe më të sinqerta.
Fatbardha, e bija e së ndjerës, duke falënderuar qindra pjesëmarrësit në këtë mbledhje komemorative, organizatorët që ju gjenden pranë familjes, shpalosi një moment të veçantë e tejet emocional me të ëmën, atë të lënies së një fotografie nga ajo, me emrat e tri vajzave të saj, e dedikimin prekës, kur ajo të mos jetë më.