I jepet lamtumira e fundit veprimtarit Gani Sylaj
Të enjten në fshatin Kizharekë të Drenasit i është dhënë lamtumira e fundit shkrimtarit, veprimtarit të hershëm për çështjen kombëtare, ish-kryetarit dhe nënkryetarit të Komunës së Drenasit, Gani Sylaj, i cili ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.
Të enjten asambleja e Kuvendit Komunal e Drenasit ka organizuar mbledhje përkujtimore, po ashtu në Teatrin Kombëtar të Kosovës janë bërë homazhe dhe është mbajtur tubim përkujtimor në nderim të veprës së tij.
Ngushëllime familjes Sylaj i kanë shprehur liderët e institucioneve të Kosovës, përfaqësues të veteranëve të luftës, kryetarë komunash, veprimtarë të çështjes kombëtarë dhe ish të burgosur politik.
Presidenti Hashim Thaçi, duke përmendur veprimtarinë e Gani Sylajt, ka thënë se ai në çdo fazë të veprimtarisë së tij i ka bashkuar njerëzit dhe ka kontribuar për idealin e Kosovën. “Ganiu ishte njeriu i lëvizjes kombëtare që mendonte sa për Prishtinën, aq për Preshevën, Shkupin, Ulqinin. Mendonte për bashkim kombëtar. Ganiu ishte prej të parëve që e ndihmoi edhe komandant Adem Jasharin”, ka thënë presidenti.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka theksuar se e gjithë komuna që ai drejton dhe të gjithë qytetarët janë krenarë për veprimtarinë e Ganiut.
Një prej veprimtarëve, Mehmet Hajrizi, ka shprehur gjithë kontributin për Kosovën të veprimtarit Gani Sylaj, ku tha se ai do të kujtohet ndër breza.
Përfaqësuesi i të burgosurve politikë, Hydajet Hyseni, ka theksuar se kontributi dhe sakrifica e Ganiut ka qenë shumë e rëndësishme për Kosovën. Ndërkaq në emër të familjes të pranishmit i ka falënderuar djali i të ndjerit, Atdhe Sylaj.