
I jepet lamtumira e fundit veteranit të UÇK-së, Ali Avdiu
Të enjten është varrosur veterani i UÇK-së, Ali Avdiu nga Gramaqeli i Deçanit. Në ceremoninë e varrimit ka marrë pjesë edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Me këtë rast, Haradinaj ka vlerësuar lartë kontributin e bacës Ali për çlirimin e Kosovës.
“Që në vitet ’96-97, nisi përgatitjet për luftën, andaj familja e tij, ishte ndër të parat që u godit nga Serbia. Edhe pse armiku i mbante në burg djalin Muhametin, Aliu mbeti një udhëheqës i zoti i vijave të luftës. Me përfundimin e saj, tek Aliu kemi parë një njeri që nuk e ndal punën e as dëshirën për ta forcuar Kosovën. Tek ai e gjejmë një bashkim vuajtjesh, të cilat është shumë vështirë t’i përballojë një njeri. Aliun jeta e rëndoi me tragjedi familjare dhe me vuajtje tjera por ai i mbajti ato në vete e asnjëherë nuk u bë barrë e shokëve e miqve. Sot ai u bashkua me të dashurit dhe me bashkëluftëtarët e tij në botën e përtejme. Të gjallëve, miq e familjarë, ju them: jetoni me fuqinë, harenë dhe vullnetin që kishte baci Ali!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.