I jepet lamtumira e fundit veteranit të UÇK-së, Sabri Popaj
Në Fortesë të Rahovecit sot i është dhënë lamtumira e fundit veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabri Popaj.
Kryetari i Rahovecit në “Facebook”, Samaj Latifi e ka vlerësuar lartë veprën e Sabri Popajt, i cili për lirinë e Kosovës ka dhënë gjithçka, edhe atë që është më e shtrenjta, dy djemtë e tij, Shëndetin dhe Agonin.
“Kujtimi për të dhe për sakrificën e familjes së tij do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona!”, ka thënë Latifi.
Postimi i plotë:
LAMTUMIRË, SABRI POPAJ!
Sot, i dhamë lamtumirën një njeriu të madh, luftëtarit të lirisë, Sabri Popaj nga Fortesa. Sabriu dha gjithçka për atdheun, edhe atë që është më e shtrenjta, dy djemtë e tij, Shëndetin dhe Agonin. Humbjet e mëdha nuk e thyen, por i përballoi me dinjitet dhe forcë, duke u bërë simbol i qëndresës dhe sakrificës.
Sabriu nuk ndaloi kurrë së punuari për të nderuar kujtimin e dëshmorëve dhe për të ndërtuar të ardhmen tonë të lirë. Ai la pas një trashëgimi atdhedashurie që do të mbetet përherë në kujtesën tonë.
Lavdi dhe nderim jetës së Sabri Popajt!
Kujtimi për të dhe për sakrificën e familjes së tij do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona!