I jepet lamtumira ish-presidentit të Francës
Udhëheqës të kaluar dhe të tanishëm botërorë u mblodhën të hënën në Paris për të ndjekur funeralin e ish-presidentit të Francës, Jacques Chirac.
Ceremoninë pranë vendit të varrit të Napolonit e ka udhëhequr presidenti francez, Emmanuel Macron.
Himnin kombëtar “La Marseillaise” e ka performur një grup ushtarak, ndërsa Chirac është varrosur në varrezat Montparnasse, ku gjendet edhe vajza e tij, Laurence, e cila ka vdekur më 2016.
Në mesin e pjesëmarrësve të huaj në ceremoni ishin: presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, dhe mbreti Abdullah II i Jordanisë, shkruan “Rel”.
Në ceremoninë e varrimit të ish-presidentit francez ka marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Chirac ka vdekur më 26 shtator në moshën 86-vjeçare.
Familja e tij nuk ka dhënë detaje për shkakun e vdekjes.
Chirac ka shërbyer si president nga viti 1995 deri më 2007.
Nën udhëheqjen e tij, Franca ka hyrë në Eurozonë dhe ka shfuqizuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Në skenën ndërkombëtare, Chirac do të mbahet mend për kundërshtimin e ndërhyrjes në Irak më 2003.