I jepet lamtumira Visart Cengut që u vra në veturë duke u larguar nga lokali ‘Cobra City’ (foto)
Sot në varrezat e qytetit në Kukës i është dhënë lamtumira e fundit të riut Visart (Behar) Cengu, 31 vjeçar, i cili u vra në veturë duke u larguar nga lokali ‘Cobra City’ në dalje të Prizrenit, raporton “Epoka e re”.
Mijëra qytetarë kuksianë dhe miq të familjes Cengu nga Kosova kishin ardhur për ta përcjellë në banesën e fundit këtë të ri i cili kishte ardhur nga Franca për ta kaluar ndërrimin e moteve në vendlindje.
Kjo vrasje është përjetuar rëndë jo vetëm nga familjarët por edhe nga të gjithë kuksianët dhe miqtë e shumtë të familjes Cengu nga Kosova e mërgata.
“Ne kishim një armik të përbashkët, Serbinë të cilës bashkërisht ia drejtuam pushkën dhe kurrë nuk besoja se kemi plumba për shqiptarë”, u shpreh i ati i Visartit i cili bashkë me vëllëzërit e tij i kishte kontribuar luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës!
“I lehtë i qoftë dheu Visartit e familjarëve Zoti iu dhëntë forcë për ta përballuar këtë dhimbje. Qoftë kjo vrasja e fundit në mes të shqiptarëve!”, ka shkruar gazetari Demir Reshiti, raporton “Epoka e re”.