“I ka mbajtë tri puna për të ndihmuar familjen, u sakrifikua për të e ai ia mori jetën”, rrëfehet familjarja e gruas së vrarë në Pejë
Një grua mbeti e vrarë sot në Pejë. I dyshuar në këtë rast është bashkëshorti i saj, i cili tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Një familjare e viktimës ka rrëfyer se si e ndjera ishte munduar gjithmonë të mbante familjen të bashkuar, përkundër vuajtjeve të mëdha që kishte pasur për shkak të problemeve të vazhdueshme me bashkëshortin, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Ajo thotë se bashkëshorti i viktimës kishte qenë një kohë të gjatë i papunë, teksa e ndjera kishte mbajtur tri puna për të siguruar të ardhurat e familjes. Ajo pasnesër do të mbushte 43 vjet, rrëfen familjarja.
“Ka qenë një femër shumë e zonja. I ka mbajtë tri punë dhe është mundu me të gjitha forcat me e mbajtë edhe burrin e ligë, asnjë moment se ka largu , e ka dashuru shumë. Është mundu me e mbajtë në rrethin e vet familjar larg telasheve. I ka mbrojtë në një mënyrë, edhe familjen e vet, edhe fminë edhe burrin e vet. U sakrifikua për të gjithë vet. Ka pasur gjithmonë vuajtje, bashkëshorti i saj ka qenë gjithmonë i papunë, ka pasë probleme ka qenë si në një lloj depresoni, por ajo e ka mbajtë shumë afër, është mundu me mjeku, me mbajtë familjen bashkë. I ka tre fëmijë të mrekullueshëm. Ka qenë shumë e re. Pasnesër i mbush 43 vjet”, ka rrëfyer ajo në Kosova Today.
Gazeta Online Reporteri.net raportoi në mëngjes se i dyshuari për vrasjen është bashkëshorti i gruas, Edmond Lajqi.
Në vendin e krimit siç konfirmoi policia është konfiskuar edhe një armë zjarri.