“I kam dy kërkesa”, “Nuk jam mirë”, “Duhet me u konsultu me avokat”. Pse dëshmitari 29 shkaktoi kaq shumë dilema në Hagë?
Me shumë reagime, ndërprerje e përplasje është përcjellur nisja e dëshmisë nga dëshmitari 29 në Dhomat e Specializuara të Hagës. Zanafilla është nga dje kur avokati i Kadri Veselit deklaroi se ky dëshmitar ka negociuar pako përfitimi në këmbim të dëshmisë. Nacionale sjell detaje.
Menjëherë pas betimit se do ta thotë të vërtetën, dëshmitari 29 në rastin e krerëve të UÇK-së kërkoi diçka nga trupi gjykues. Tha se i ka dy kërkesa, por kur filloi t’i tregonte ato, ai u ndërpre nga gjyqtari Charles Smith, i cili tha se deklarimet e tilla bëhen në fund.
“Unë i kam dy kërkesa, e parë është se…”, ishte duke deklaruar dëshmitari kur u ndërpre nga kryegjyqtari i rastit, raporton Nacionale.
E kur filloi të merrej në pyetje nga prokurori James Pache, dëshmitari kërkoi që seanca të ndërprehet. Fillimisht tha se nuk po ndihet mirë me shëndet, e pastaj se i duhet të konsultohet me avokatin. Kjo ndër rastet e rralla kur një seancë ndërprehet ende pa nisur mirë.
“Më duhet pak pushim se nuk po ndihem mirë me shëndetin. Nuk mund të vazhdoj. Më duhet me u konslultu me një avokat rreth procesit, nuk po i kuptoj do sene bash mirë”, tha dëshmitari.
Pas këtij zhvillimi reagoi avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson. Ai tha se dëshmitarit i është bërë e ditur nga Prokuroria se në këtë rast ka rrezik të vetinkriminimit. Por, pa treguar për çfarë bëhet fjalë.
Kur Emmerson po fliste sot për këtë dëshmitar, Prokuroria kërkoi që të shkohet në seancë private. Dëshmitari për të cilin foli Emmerson është i 29-ti me radhë. Ai do të dëshmojë që nga sot, dhe do të ketë masa mbrojtëse.
“Që në fillim dua të bëj të qartë nuk është e nevojshme që të përshpejtojmë situatën me të cilën përballet trupi gjykues. Ka disa karakteristika konkrete me këtë dëshmitarë. Shqetësimi ynë ka të bëjë me mënyrën e ofrimit të dëshmive dhe mënyrën se si duhet të nxirret dëshmia prej dëshmitarit. Nga dokumentet që na janë nxjerrë e dimë që synimi i dëshmitarit është …”, tha Emmerson, dhe seanca u mbyll për publikun.
Seanca fillimisht shkoi në pauzë. E kur u kthyen, gjithçka u zhvillua e mbyllur ku publiku nuk mund të shihte e as të dëgjonte asgjë. Senaca u mbyllë vetëm pas pak minutash, dhe nuk dihet cilat ishin diskutimet.
Dilemat dhe reagimet për dëshminë e këtij dëshmitari nisën që nga dje. Avokati Ben Emmerson deklaroi dje në seancë se ky dëshmitar ka kërkuar pako përfitimi në këmbim të dëshmisë.
Ai ka thënë se në shënimet përgatitore të dëshmitarit të radhës, dëshmitari tenton të negociojë me Prokurorinë një pako përfitimi për të në këmbim të dëshmisë.