I kthyer në vendin e krimit
Nga Bedri Islami
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ishte në këtë fundjavë vizitor në Kosovë. Bëri mirë që shkoi. Jo për tjetër, por edhe një herë, i gjithë mentaliteti, paraqitja dhe mendësia serbe, u shfaq e plotë dhe në të nuk kishte asgjë të papritur për shqiptarët e Kosovës. Në fund të fundit, me fjalimin e tij të së dielës, ai saktësoi se qendra e mendimit politik në Beograd nuk ka ndryshuar dhe vazhdon të mos ndryshojë. Ndryshe nga sa paraqitet në takimet bilaterale apo me funksionarë të lartë të Brukselit, në bisedat me zonjën Merkel apo në paraqitjet televizive evropiane, Vuçiqi është, pa asnjë dallim esencial, vazhdim i politikës së Millosheviqit në Kosovë dhe i njëjti birrëmbajtës në tavolinën e Sheshelit.
Asgjë e keqe nuk vjen vetëm për të keq. Edhe paraqitja nacionaliste e nivelit të egërsuar e Vuçiq, në fund të fundit, duhet të mbushë në mend politikën shqiptare se serbët asgjë nuk kanë mësuar nga humbjet, nuk kanë asnjë pendim nga e shkuara, janë të gatshëm përsëri të ndezin flakët e urrejtjes dhe këtë nuk duan vetëm në një drejtim: drejt jugut, ku është shteti i Kosovës, por me të gjithë fqinjët e tij.
Është një mësim për politikën në Prishtinë, ku Vuçiqi i Brukselit nuk është i njëjtë me atë që turfullon para mbështetësve të tij; nuk është ai që bie dakord në bisedat paraprake për të njohur shtetin e Kosovës dhe për të bërë një ndryshim të kufirit në shkëmbim të më shumë të drejtave për serbët e Kosovës; nuk është ai që duke iniciuar një amnisti të përgjithshme në të dyja anët, synon të ulë tensionin politik, kombëtar e qytetar; nuk është ai që shkoi në Kosovë me dafinat e paqes, por që kërcënoi rishtas, duke sjellë si shembull të një burrë shteti të madh serb, pikërisht vrasësin masiv, Millosheviqin.
Është një mësim edhe për politikën në Tiranë, e cila shpeshherë mund të mendojë se njeriu i sjellshëm – rëndesë nga koha e birrëmbajtjes së frazave miqësore, nuk është i njëjtë me atë që synon ta rifusë Kosovën nën mantelin e përgjakur serb, por që vjen dita dhe ai shfaqet ashtu si ka qenë në të vërtetë dhe, si duket, do të mbetet edhe për shumë kohë.
Në fakt ai u kthye në vendin e krimit të fundit serb, që ishte po aq i përgjakshëm sa edhe në Kroaci dhe në Bosnje. Duke u kthyer në këtë vend dhe me të njëjtën mendësi, ai nuk mund të dilte nga vetja dhe, edhe po të guxonte ta bënte këtë, si guxon jo pak herë në bisedimet me përfaqësues të lartë evropian, sidomos me Zonjën Mogerini, ai nuk do të mund të mbante vendin e tij si president. Sepse, e gjithë kupola drejtuese e sotme e Beogradit, ka ndërruar emrat, por jo qëndrimin ndaj një çështje të humbur.
Me këtë mendësi të atij që kthehet edhe një herë në vendin e krimit, ai synoi të shkonte edhe në Drenicë, në zonën ku janë bërë masakrat e para dhe më të përgjakura serbe. Nuk kërkoi të shkonte për të kërkuar ndjesë, por si shëmbëlltyrë e pushtetit të tij, i cili, edhe pse mund të ketë petka moderne, është po aq kasap sa edhe më herët.
Sidoqoftë, edhe pse i trullosur nga ajo që i ndodhi në Drenicë, Vuçiq mësoi disa gjëra që do t’i vlejnë edhe në të ardhmen.
Ai mësoi se, edhe po të ketë mundësi të bëjë për vete një pjesë të klasës politike në Kosovë, në fund të fundit, rrugët do të jenë të prera dhe të pafund. Mësoi se, me gjithë ecejaket e tij, ka një kufi që ai duhet ta respektojë dhe të kthehet mbrapsht. Refuzimi i Drenicës, kjo do të kishte ndodhur edhe në zona të tjera, për t’i bërë vend një radikali Sheshelist, pavarësisht se ai bisedon me krerët kushtetues, do të thotë shumë për Beogradin, i cili, edhe pse synoi të trembë me lëvizjen e ushtrisë drejt Kosovës, e di krejt mirë se kjo është një disfatë e hidhur.
Vuçiqi mësoi se edhe drejtuesit e lartë të Kosovës, të cilët, herën e parë i dhanë leje të udhëtonte drejt Drenicës, janë të tërheqshëm, pikërisht atëherë kur e rishohin se nuk janë ata që vendosin.
Ndaj, tani, në bisedimet që mund të vazhdojnë një ditë, ai, pas hijes së kujtdo qoftë si përfaqësues i Kosovës, duhet të shohë edhe ata që lëvizin dhe që janë në të vërtetë fryma që i duhet Kosovës.
Në fund të fundit, ai mësoi se edhe presidenti i Serbisë, pavarësisht tonit e mesazhit ultranacionalist, nuk mund të bëjë më shumë se kaq; atij i duhet dhënë leje për të vizituar një shtet fqinj; atij i duhet shikuar e miratuar agjenda e lëvizjes; atij i priten rrugët kur lëvizja e tij synon të destabilizojë. Si çdo vend i pavarur.
Vizita e Vuçiqit, jam i bindur, se do t’i sjellë përfitimet e saj edhe nga mendimi politik në Kosovë.
Premtimet e Vuçiq në Bruksel nuk duhen marrë kurrë të njëmendta dhe seriozisht. Ai është në gjendje të ndryshojë premtimet e tij për hir të politikës së ditës, por kjo nuk ka të bëjë me Kosovën.
Pas vizitës dhe fjalës së tij, Prishtina zyrtare duhet të ketë një ritëm tjetër: Ajo nuk duhet të ulet rishtas në tryezën e bisedimeve pa u vënë pikat mbi “i”; pra, pa u qartësuar gjërat.
Dhe gjëja e parë që duhet të jetë e qartë edhe për Vuçiqin, është se po bisedojnë përfaqësues të dy shteteve fqinjë që, më parë se të bëjnë fjalë për programe dhe marrëveshje, duhet ta njohin njëri-tjetrin. Nëse ata nuk e njohin njëri-tjetrin, nuk kanë as se për çfarë të bisedojnë.