
I kujt do të jetë shekulli XXI?
Nga JAVIER CERCAS
Nuk e kuptoj: nga vjen gjithë ky shqetësim? Nuk e dinim se kush ishte Trumpi? Nuk i kishim dëgjuar fjalimet e tij? Nuk e kishim kuptuar se ai nuk është një politikan, por një bullizues? A nuk e dinim se, ashtu si Putini, ai kupton vetëm gjuhën e forcës?
A e kishim harruar se, ashtu si Putini, ai përçmon demokracinë dhe se kishte organizuar një grusht shteti? A nuk na kishte thënë askush se ai e urren BE-në po aq sa Putini dhe se nuk dëshiron një Evropë të bashkuar (prandaj mbështet liderët evropianë që përpiqen ta shpërbëjnë BE-në)?
A nuk ishte e qartë se ky Trump i dytë, i rrethuar nga oligarkë servilë dhe të zhytur në tekno-autokraci, do të ishte edhe më i keq se i pari? A nuk e dinim për lidhjen e tij me Putinin, i cili e ndihmoi të vinte në pushtet herën e parë? A mendonim se ai do të kërcënonte me luftëra tregtare vetëvrasëse me Meksikën dhe Kanadanë, por jo me ne? A nuk ishte e qartë se në Ukrainë ai do të përpiqej të arrinte një marrëveshje me bashkëpunëtorin e tij në Moskë pa u konsultuar me evropianët, një marrëveshje e përsosur për pushtimin e ardhshëm rus (stacionet e radhës: Moldavia dhe shtetet balltike)?
Të gjitha këto dhe shumë të tjera i dinim fare mirë, por bënim sikur nuk i dinim, dhe tani po përballemi me realitetin: nuk është një hiperbolë të thuhet se Trump aspiron për shkatërrimin e demokracisë dhe, për ta arritur këtë, ai duhet të shkatërrojë ose të dobësojë Evropën – bastionin më të madh të demokracisë – dhe të shpërbëjë institucionet ndërkombëtare, me qëllim që të zëvendësojë një rend botëror të bazuar në rregulla me një rend të ri autoritar, të drejtuar nga i vetmi ligj që ai njeh: ligji i më të fortit.
Kjo është situata dhe kush nuk e sheh, ndodh sepse nuk do ta shohë. Prandaj Evropa duhet të përgjigjet menjëherë.
Si? Ka të paktën pesë hapa të arsyeshëm.
I pari, të kuptojmë një herë e mirë se një Evropë e bashkuar – pra një Evropë federale, e aftë të kombinojë unitetin politik me diversitetin gjuhësor, kulturor dhe identitar – është e vetmja garanci për paqen, prosperitetin dhe demokracinë në kontinent, si dhe për rëndësinë e saj në botë.
I dyti, të kuptojmë se, të paktën në Evropë, ndarja kryesore nuk është më mes të majtës dhe të djathtës, por mes internacionalizmit dhe nacionalizmit, mes evropianizmit dhe sovranizmit, mes hapjes së përzier dhe gjithëpërfshirëse dhe izolimit purist dhe përjashtues.
Kjo do të thotë se Pedro Sánchez ka të drejtë kur i kërkon Partisë Popullore të distancohet nga Vox, por gabon kur nuk bën të njëjtën gjë me separatizmin, i cili ndjek të njëjtën logjikë si Vox (ose më keq: Trump mbështet Vox; Putini mbështet separatizmin, përfshirë atë të ERC-së, Sinistra Republikane e Katalonjës, slogani i së cilës – “Për një Evropë të kombeve të lira” – mund të ishte i Orbán-it ose Le Pen-it).
3. Evropa nuk duhet të varet nga Shtetet e Bashkuara; ajo duhet të jetë autonome në çdo aspekt – politik, energjetik, mbrojtës – dhe të flasë me një zë të vetëm në botë, një zë të qartë dhe të fuqishëm.
4. Është urgjente që Evropa të ndërgjegjësohet për fuqinë e saj; ne jemi ekonomia e tretë më e madhe në botë (dhe e para, para katastrofës së zhbëshme të Brexit-it), përdorim monedhën e dytë më të fortë, kemi një nga tregjet më të rëndësishme; duhet të çlirohemi nga kompleksi i inferioritetit ndaj SHBA-së – siç ka thënë Joseph Stiglitz – duhet të sfidojmë SHBA-në dhe Kinën në vend që të përpiqemi t’i qetësojmë – siç ka thënë Abraham Newman. Ne kemi shumë më tepër fuqi sesa besojmë, dhe nëse nuk e ushtrojmë, kjo vjen për shkak të mungesës së unitetit, ambicies politike, vizionit historik dhe besimit në vetvete.
5. Dhe nëse bota është duke pritur Evropën? Po sikur të ketë nevojë për ne shumë më tepër sesa imagjinojmë?
Arancha González Laya, ish-ministre e Jashtme e Spanjës, e thoshte kështu: “Ka shumë vende që tashmë ndihen të braktisura dhe kanë nevojë për një partner të qëndrueshëm dhe serioz si BE-ja, e cila është një ishull stabiliteti dhe besueshmërie përballë këtyre Shteteve të Bashkuara që sot janë epiqendra e paqëndrueshmërisë gjeopolitike globale”.
Shekulli XX u përkiste Shteteve të Bashkuara; shekulli XXI ndoshta nuk do të jetë i tyre. Trump është simptoma e një dekadence që kishte nisur prej vitesh. Kush do të dominojë të ardhmen? Autoritarizmi i pamëshirshëm kinez, apo Evropa, me demokracinë e saj, me shtetin e saj të mirëqenies dhe rendin e saj ndërkombëtar të bazuar në rregulla?