I MADHI KADRI ZEKA

17 janar 2024 | 22:12

Nga Mehmet Hajrizi

1. Hyrje

I lindur këtu e 71 vjet më parë, rrëzë majës fushëbetejë të Kikës me natyrën e ashpër, Kadri Zeka po rritej me guximin e shpirtit malësor, duke formuar personalitetin prej luftëtari të lirisë. Gjatë shkollimit të mesëm në Gjilan dhe universitar në Prishtinë, filloi veprimtarinë klandestine, duke aderuar më 1973 në organizatën çlirimtare Grupi Revolucionar i Kosovës (GRK-OMLK).

Kadri Zeka, duke rënë dëshmor në moshën 28 vjeçare, sot ka bërë 42 vjet jetë prej heroi, d.m.th. 14 vjet më shumë nga jeta e tij fizike.

2. GRK-OMLK dhe Kadri Zeka

Organizata GRK-OMLK, me gjithë përndjekjet policore dhe dënimin e veprimtarëve të saj nga gjyqet e regjimit pushtues, po rritej, fuqizohej e shtrihej gjithandej trevave të pushtuara shqiptare nën Jugosllavi. Ajo për herë të parë në praktikën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (LKSH) të pas LDB themeloi shtypin klandestin me organet „Zëri i Kosovës“, „Pararoja“, „Liria“, traktet politike e thirrjet, si mjete të komunikimit me publikun, botimet e veçanta e materialet interne me karakter formues të anëtarëve militantë etj.  Organizata veproi gjatë dhe suksesshëm në saje të organizimit të strukturuar mirë, të veprimit të kujdesshëm të veprimtarëve profesionistë dhe në konspiracion të thellë e disiplinë të rreptë. Kadri Zeka, me figurën e tij morale, formimin intelektual dhe përkushtimin besnik për lirinë e atdheut, shumë shpejt hyri në radhët e Komitetit Drejtues si sekretar  për lidhje dhe punë me masat. Në këtë cilësi Kadri Zeka i dha kontribut të madh organizatës, duke vënë në shërbim gjithë forcën fizike dhe potencialin shpirtëror e intelektual të tij.

Një natë prilli të vitit 1978 e ndau në dy periudha veprimtarinë jetësore dhe atdhetare të Kadriut, njëra në Kosovë dhe tjetra në mërgim.

3. Veprimtaria në Kosovë

Veprimtaria çlirimtare në Kosovë veç vështirësive të një rruge pa gjurmët e lëna nga pararendësit;  sprovave të natyrës së rritjes  dhe  të formimit; përballej me  strukturat policore të ndjekjes e persekutimit të denja për inkuizicionin mesjetar.

Kadri Zeka ishte modeli i veprimtarit të palodhshëm dhe të pathyeshëm. Në personalitetin e tij harmonizoheshin modestia dhe pjekuria, vetëmohimi dhe  dituria, vendosmëria dhe vullneti i hekurt, dashuria për bashkëveprimtarët dhe kujdesi e solidariteti.

Veprimtaria shumëdimensionale në konsolidimin e radhëve, shpesh të goditura nga regjimi, angazhimi intelektual në shtypin klandestin dhe propagandimi i ideve të lirisë, e kishin formuar dhe kalitur të riun Kadri Zeka si veprimtar profesionist të praktikës dhe teorisë organizative. Aktivitetit të gjatë dhe gjithnjë më intensiv të dëshmorit i ranë në gjurmë agjentët e sigurimit të pushtuesit, prandaj ai u detyrua me dhembje  t’ia kthente shpinën Kosovës së tij të shtrenjtë, për të emigruar në Zvicër.

4. Veprimtaria në mërgim

Nga gjysma e viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, nomenklatura politike zyrtare serbe filloi hartimin e dokumenteve dhe përgatitjet për suprimimin e autonomisë së Kosovës. Pozita e saj politike dhe juridike që përcaktonte mbetjen brenda Republikës së Serbisë do të çonte pashmangshëm në rrezikimin madje edhe të atij statusi dubioz të Kushtetutës së vitit 1974.

LKSH në këto rrethana prapakthimi u pozicionua, jo vetëm në mbrojtjen e autonomisë, por edhe për avancimin e saj në republikë, si kusht i barazimit të shqiptarëve me popujt tjerë të Federatës jugosllave.  Ky zgjim nxori në skenën politike qytetarët e diskriminuar në kryengritjen masive të vitit 1981. Etapa nëpër të cilën po kalonte LKSH, sidomos pas kësaj kryengritjeje ishte ndër më të vështirat në gjithë jetën e saj.

Kundër LKSH, popullit shqiptar dhe gjithë vlerave tona kombëtare, regjimi pushtues ishte harbuar në veprim shumëplanësh. Hegjemonizmi serb kishte arritur t’i vinte në shfrytëzim të politikës antishqiptare tërë mekanizmat jugosllavë të ndjekjes dhe terrorit. Kjo fushatë e tërbuar ishte në sinkroni, jo vetëm me qendrat republikane, por edhe me vetë Prishtinën e politikës zyrtare që në shumicë përfaqësohej nga vetë shqiptarët.

LKSH megjithatë, jo vetëm nuk u mposht e asgjësua, por u rrit dhe u zgjerua si asnjëherë më parë. Ajo tashmë e kishte kaluar rubikonin historik të saj, për të shtegtuar sigurt drejt majave të luftës finale dhe ngadhënjimtare.

Jeta organizative në mërgim e Kadri Zekës dëshmon më së miri se nëse veprimtaria brenda nën përndjekjet policore dhe terrorin sistematik ishte e vështirë, jashtë atdheut paradoksalisht bëhej akoma më e rëndë. Jo vetëm për faktin që dora kriminale serbe zgjatej kundër veprimtarëve tanë deri në skajet më të largëta të globit, por mbi të gjitha rëndonin kontradiktat  e brendshme të organizatave shqiptare atje.

Demonstrata u bënë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Kadri Zeka pati një rol të veçantë dhe historik, të drejtpërdrejtë, organizativ dhe përmbajtjesor,  veçanërisht në demonstratat e mërgatës. Ato manifestuan solidaritetin me kryengritjen në Kosovë, përçuan zërin e popullit të kryengritur të Atdheut gjithandej në botën demokratike perëndimore dhe kontribuuan fuqishëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së pazgjidhur shqiptare, duke tërhequr simpatinë e popujve liridashës.

5. Riorganizimi i radhëve të dëmtuara

Kadri Zeka kishte arritur në Zvicër me përvojën tashmë  tetëvjeçare të organizatës që përfaqësonte atje. Ai ishte i përgatitur që pas arrestimit të Komitetit Drejtues të OMLK-së në Kosovë të merrte me nder dhe përgjegjësi barrën e rëndë të rivënies së lidhjeve me bashkëveprimtarët që nuk ishin arrestuar dhe udhëheqjen me lidership të radhëve të organizuara. Roli i Kadriut  prej ripërtëritësi të radhëve të LKSH në përgjithësi dhe të organizatës ku militonte në veçanti, përbënte një detyrë historike që i ngarkohej në çastet e rënda që po kalonte  ajo.

Një rol tjetër që pritej prej tij, ishte ai për hapjen e horizonteve të reja për zhvillimin e LKSH dhe avancimin e saj drejt luftës finale të armatosur, siç e kishte përcaktuar programi i OMLK-së dhe i organizatave të tjera. Por detyrë e përbashkët dhe imediate e përfaqësuesve të të gjitha organizatave të LKSH ishte bashkimi i tyre për qëllimin e përbashkët.

6. Promotor i bashkimit

Ideali i bashkimit kombëtar, por as Republika e Kosovës, nuk mund të arriheshin pa bashkimin e faktorit subjektiv, gjithë strukturave të organizuara të LKSH.

Përpjekjet brenda e sidomos jashtë për bashkimin e organizatave kishin filluar para dhe sidomos gjatë dhe pas kryengritjes së vitit 1981. Në funksion të bashkimit të gjithë potencialit të LKSH, OMLK kishte hartuar teza për një front të përbashkët dhe të vetëm. Vetë titulli i këtij dokumenti presupozonte se nuk ishte i paprekshëm, por i hapur për diskutim dhe ndryshim eventual. Në këto Teza, veç tjerash shkruante:

“Qëllimi i Frontit për Republikën është që krahina e Kosovës të çlirohet nga sundimi i Serbisë dhe të fitojë statusin e Republikës brenda Federatës jugosllave… Për t’ia arritur këtij qëllimi, Fronti duhet të bashkojë në luftën për Republikë të gjitha masat popullore, … pavarësisht nga bindjet politike, dallimet klasore, fetare a krahinore…”

Organizatorët dhe prijësit e demonstratave  në mërgatë, Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla, Ibrahim Kelmendi, Bardhosh Gërvalla etj., kishin zgjedhur rrugën më të mirë dhe mënyrën më të qëndrueshme të bashkimit, jo në tryeza pazaresh, por në veprim praktik dhe të përbashkët në rrugët e sheshet e metropoleve evropiane, si lëvizje e gjerë e mërgimtarëve. Më në fund heronjtë tanë e vulosën me gjakun e tyre bashkimin veprues, për të mos u ndarë kurrë në jetën e kombit shqiptar. Ky bashkim në luftë e pa procesverbale formale, pati jehonë edhe brenda në Kosovë. Kadri Zeka shkruante: “Kosovës i duhet një zë i vetëm i fortë e kumbues  dhe jo disa zëra të mekur”.

Jusuf Gërvalla e kishte pushuar botimin e gazetës së tij, “Lajmëtari i Lirisë” duke kontribuuar me shkrime dhe me mjete teknike të shtypit për botimin e organit të njohur “Liria” të OMLK-së. Pa kompleksin e protagonizmit politik e klanor, Jusufi angazhohej për qëllimin e përbashkët të bashkimit dhe të shtytjes përpara të proceseve drejt objektivit historik. Mërgimi i kishte bashkuar fizikisht Jusufin dhe Kadriun, kurse ideali shpirtërisht.

7. Shtypi klandestin

Kadriu jashtë bëri të mundur botimin e “Liria”- s, të publikimeve tjera të saj dhe organizimin sjelljes së tyre në Kosovë. „Liria“ përgatitej në Kosovë, por OMLK brenda nuk kishte mjete moderne të shtypit për ta  botuar. Për sigurimin e mjeteve të tilla kontribuoi veçanërisht shumë veprimtari i shquar Jusuf Gërvalla, i cili mundësoi shtypjen e organit „Liria“ me cilësi solide. Më vonë u sollën edhe mjete të tilla shtypi brenda në Kosovë.

Veprimtarët në kushte tepër të rënda bartnin materialet nga Kosova në Zvicër për botim dhe i kthenin përsëri brenda me mijëra kopje të botuara. Në këtë veprimtari tepër të rrezikshme shquhej sidomos veprimtari i guximshëm dhe i palodhshëm Hasan Malaj.

8. Lidhjet me Shqipërinë

Një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm për zgjimin shqiptar në Kosovë, ndërgjegjësimin e masave dhe në avancimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës, e ushtronte edhe Shqipëria.

Kadri Zeka, sikur edhe përfaqësues të organizatave të tjera mbante kontakte me diplomatë  të Shqipërisë të cilët konfirmonin politikën shqiptare për solidarizimin me çështjen e drejtë të Kosovës e të shqiptarëve nën Jugosllavi.  Në anën tjetër Kadriu shkruante: “Ne i sigurojmë motrat dhe vëllezërit tanë në Shqipëri se kur të jetë nevoja kurrë nuk do ta kursejmë as djersën e as gjakun për mëmën tonë të dashur Shqipëri, dhe këtë ne e konsiderojmë si detyrën dhe nderin tonë më të lartë”.

Në ndërtimin e marrëdhënieve tepër të mprehta dhe të ndjeshme, si ato me Shqipërinë, Kadriu vepronte me kujdesin e neurokirurgut dhe me sensin e hollë, me shkathtësi e guxim intelektual, virtyte këto që gërshetoheshin mrekullueshëm në personalitetin e tij prej diplomati.

9. Publicistika çlirimtare

Në personalitetin e Heroit Kadri Zeka është kombinuar  harmonishëm dhe në mënyrë unike karakteri i malësorit kryengritës dhe intelektualit publicist e teoricien revolucionar. Kadri Zeka shkroi me zjarr dhe me mendje të ndritur, shumë artikuj studiues, historikë dhe aktualë. Ttrajtesat e tij në fushë të teorisë vepruese të lëvizjes, mbeten për brezat e mëpastajmë, jo si një thesar muzeal, por  bazë e shkëlqyer dhe udhërrëfyese për të vazhduar rrugën e ndjekur prej tij. Shumë nga shkrimet e tij, disa prej të cilave janë të para  disa dekadave, e kanë ruajtur aktualitetin deri në ditët tona.

10. Përfundim

Roli prej ripërtëritësit të radhëve të LKSH dhe misioni i bashkimit të saj në një front të vetëm, u kushtoi me jetë heronjve tanë, Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla dhe vëllait të tij Bardhoshit. Pas më shumë se tre vjet veprimi të pareshtur jashtë, dora gjakatare e UDB-së jugosllave arriti në Gjermani, ku organizoi atentat kundër Kadri Zekës dhe vëllezërve Jusuf e Bardh Gërvalla, më 17 janar 1982.

Kadri Zeka me integritetin e tij, i ka shpërthyer kufijtë e rrathëve të ngushtë e ekskluzivistë, duke shtrirë emrin dhe personalitetin në gjithë trojet shqiptare; ai është hero i gjithë kombit  tonë. Kadri Zeka është  tepër i madh që të  futet në korniza të ngushta a në shtratin e  Prokrustit për shfrytëzim të interesave të vogla. Dëshmorët nuk i përkasin asnjë partie të veçantë, madje as vetëm familjeve të tyre, ata janë vlerë e gjithë kombit dhe e të gjitha kohëve.

Kishte kaluar një natë e gjatë sa shekujt “syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur”, kur më 2002 eshtrat e Kadriut, të Jusufit e të Bardhit u kthyen në atdhe.

Sot pas 42 vjetësh të rënies, jeta dhe vepra e Kadriut, personaliteti i tij moral, politik e kombëtar, vazhdojnë të përbëjnë një thesar vlerash kombëtare e njerëzore. Ai i dha tërë jetën Atdheut, por nuk kërkoi asgjë prej tij.

Kadri Zeka përfaqësonte shpirtin luftarak e kryengritës të shqiptarit, thellësinë e mendimit intelektual, fuqinë e fjalës së oratorit propagandist të ideve të lirisë, demaskuesin e pamëshirë të regjimit pushtues dhe ndriçuesin e shtigjeve drejt epokës së re.

Kadri zeka nuk arriti ta shihte  përmbushjen e misionit të tij, por ai ishte i bindur në fitore, sepse luftëtarët e vërtetë të lirisë si ai e shohin lirinë  më larg se syri i zakonshëm i njeriut.

Kadri Zeka duke qenë i sigurt në fitoren e pashmangshme të luftës për liri dhe në shpirtin luftarak të popullit të tij, shkruante: “Përvoja e gjatë historike e luftarake e ka mësuar popullin tonë se të drejtat e liritë nuk t’i fal kush,  por ato fitohen vetëm në rrugën revolucionare“.

Jeta e Kadriut qe e shkurtër, por lavdia e emrit dhe  e veprës së tij do të jetë e përjetshme. Le t’i falemi sot, në këtë përvjetor të rënies, kujtimit të jetës dhe veprës së lavdishme të Kadri Zekës!

(Fjalë në përvjetorin e 42-të të rënies, Gjilan, 17 janar 2024)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NATO-ja po bëhet gati për  atë që konsiderohet si stërvitja…