I mbetën kikirikët në fyt, i shpëtohet jeta fëmijës në QKUK
Në Klinikën e Otorinolaringologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i është shpëtuar jeta një vajze 14 muajshe.
“Mjekët e ORL-së, në bashkëpunim me ata të Klinikës së Anesteziologjisë e Reanimacionit dhe Klinikës së Pediatrisë, arritën që pas intervenimeve ta shpëtojnë foshnjën 14 muajshe. Ajo kishte përbirë kikirikë, copëza të së cilëve i kishin mbetur në fyt. Duke parë gjendjen e fëmijës, prindërit fillimisht ishin drejtuar në Klinikën e Pediatrisë, ndërkohë fëmijës po i shtoheshin problemet me frymëmarrje, me rekomandim të mjekut pediatër, fëmija drejtohet në Klinikën e ORL-së. Pas konsultimit ndërmjet mjekëve të tre klinikave, në mënyrë konsiliare vendoset që fëmijës t’i bëhet trakio bronkoskopi (ndërhyrje në rrugët e frymëmarrjes)”, ka njoftuar QKUK-ja.
Sipas këtij njoftimi, kësaj vajze i janë hequr katër copëza të kikirikut.
“Pasi ishte ftuar edhe ekipi shtesë i ORL-së, për të asistuar në kryerjen e kësaj procedure, fëmijës i hiqen 4 copëza kikiriku dhe i lirohen rrugët e frymëmarrjes. Për të gjitha këto procedura ishte marrë pëlqimi nga ana e familjarëve. Kjo procedurë është kryer me aparaturën e re të bronkoskopisë, me të cilën është furnizuar së fundmi Klinika e ORL-së”, është thënë në këtë njoftim.
/Epoka e re/