I MBIJETUAR NË NJË LËNDINË TË GULLBOVCIT
Berat Armagedoni
Ata vinin drejt nesh
e ne iknim prej tyre drejt malit si të iknim prej dreqërve
sepse na gjuanin me raketa dore dhe tanke
me kallashnikovë e snajperë pa ndal kurrë
shumë fqinjë na i vranë rrugës
shumë të tjerë u futën në mal dhe shpëtuan
ne që mbetëm me familje
na zunë në një lëndinë në fshatin Gullbovc
më mirë të mos kishim mbetur aty bre
se sapo erdhën si të çartur
filluan të vrasin dhe të masakrojnë
ia nisën nga më i vjetri e erdhën deri te më i riu
aty i vranë edhe dy vëllezërit nga Pllaçica e Malishevës
Halimin dhe Rasimin dhe kushërinjtë e tyre
e sa e sa të tjerë që nuk i kishin bërë kujt gjë keq
dogjën, prenë, vranë dhe shkretuan anembanë
edhe njerëz në pleme sane dhe kashte i kallën të gjallë
më lanë edhe mua për të vdekur përskaj të vdekurve
po kushedi pse kisha mbetur gjallë
dhe po merrja frymë
po lëvizja njërën këmbë
nga tjetra më rridhte gjak
kraharori i majtë nuk ishte më i imi
ishte bërë natë dhe trishtim kishte gjithanë
provova të çohem në këmbë
por u çova vetëm deri në gjunjë
provova të shkoj drejt malit si zvarranik
si skra a gjarpër
por ishte e pamundur
njëfarë ligështie tjetër ma kaploi trupin
dhe mendja më doli nga koka
(Luftën e Kosovës, ndër të tjera, e kam përjetuar edhe në fshatin Pllaçicë dhe Gullbovc të Malishevës. Ditën kur ndodhi masakra e martirëve të Pllaçicës nuk u ndala në lëndinën e Gullbovcit, aty ku ndodhi masakra, por vazhdova rrugën drejt grykës së Vuçakut e atje shpëtova)