I mbijetuari i luftës i ruan ende plumbat të cilët u nxorën nga trupi i tij
Rifat Bilalli ende i ruan plumbat, të cilët për pak t’ia merrnin jetën gjatë luftë së fundit në Kosovë. Për Bilallin, ata simbolizojnë tmerret e përjetuara nga aparati shtetëror serb që nuk e kursyen askënd që i doli përpara.
Për fat të mirë, Bilalli i mbijetoi plagëve dhe jetoi për të rrëfyer dhimbjet e shumë shqiptarëve, të cilat janë të panumërta.
“Këta plumba realë. Dikun i kam nxjerr më 18 qershor një dhe dy i kam nxjerr më vonë. Dy nga Talat Xhinolli dhe një në dorë nga Faton Morina. Kam qenë i plagosur në pesë vende. Janë nxjerrë nga trupi im. Ky është plumb dum-dum. Të tjerët janë të zakonshëm”, tha ai, teksa tregon plumbin e nxjerr nga trupi i tij.
Ai në emisionin “Five” të RTV Dukagjinit tregoi se 11 anëtarë të familjes së ngushtë ia kanë vrarë forcat serbe.
“Të familjes së ngushtë, 11 anëtarë të familjes i kam të vrarë. Kurse kushërinj e komshinj ka pasur edhe më shumë. Në fshatin Shtuticë janë të vrarë 76 persona. I kam disa shënime që i kam nxjerr. Gjatë asaj ofensive, numri i të vrarëve është 400. Prej tyre në Shtuticë kanë qenë 10 dëshmorë, 11 fëmijë, 6 të moshuar, pesë femra, pesë të plagosur, dy të zhdukur ende, 12 të burgosur”, tha ai.
“Bedri Ademi ngritet deri në gjunj, sepse ishte i plagosur. Thotë unë jam i plagosur nuk mundem të ngritem. E kthejnë automatikun dhe e gjuajnë me plumba. Gjithë kufomave edhe një herë i kanë dhënë plumba. Pasi e kryjtën [ushtria serbe] punën me kufoma, na qesin rrugës përpjetë në pyll. Na dërgojnë deri te një oficer, ai ishte pranë një kufome që e njofsha… Si duket veç sa e kishin vrarë. Së pari na plaçkitën, letërnjoftimet na hodhën. Aty na mbajtën disa çaste me duar të lidhura ishim. Na rrahën, duke sharë udhëheqësit tanë, Rugovën e Thaçin”, vijoi ai.Billali u shpreh se Serbia kishte marrë ofensivë si shenjë hakmarrje për bombardimet e NATO-së në Serbi.
“Më 30 prill gjatë ofensivës që ishte më e forta në territorin tonë në Drenicë. Vetëm në vitin 1999 kanë qenë gjashtë ofensiva, por kjo ishte më e tmerrshmja. Numri i popullatës nga fshatrat përreth kishin gjetur strehim në fshatin Shtuticë dhe në Vërbovc. Armiku përgatiti gjithçka për hakmarrje nga bombardimet e NATO-së”, tha ai.