I mbijetuari i masakrës së Pastaselit, i vetmi i mbetur gjallë

01 prill 2025 | 08:07

Tahir Krasniqi çdo 31 mars, tash e 26 vjet, ka dëshmuar vetëm para mediave për masakrën në të cilën u vendos edhe ai në rend për pushkatim.

106 meshkuj u vranë, por Krasniqi dhe 12 të tjerë i shpëtuan pushkatimit në masakrën e fshatit të Rahovecit, Pastasel.

Por 82-vjeçari pret ditën që kujtimet nga 26 vjet më parë t’i ndajë edhe para gjykatës, në mënyrë që ajo çka përjetoi t’i shërbejë vendosjes së drejtësisë për 106 viktimat.

“Jam i gatshëm, këto unë i di të gjitha përmendësh sikur vjershën, këto i di me rend, i di. Mirëpo, kurrkush, asgjë s’ka prej tyre”, ka thënë ai të hënën.

Organet e drejtësisë në Kosovë as nuk kanë akuzuar e as nuk e kanë dënuar ndonjë të dyshuar për pjesëmarrje në këtë masakër.

Krasniqi ka shprehur dëshpërimin që kryerësit e kësaj mizorie nuk janë mbajtur përgjegjës.

“Shkoj kjo kohë kush në burg s’kam dëgjuar që është fut për këtë masakër, 106 janë të vrarë dhe katër të pagjetur, mbi 20 kufoma i kanë djegur vetëm eshtrat i kemi varrosur”, ka thënë Krasniqi.

Ai tregon se pas luftës deklaratë për masakrën së cilës i mbijetoi ka dhënë për Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, por asnjëherë nuk është ftuar nga prokuroria vendore.

“Unë kam dhënë dëshmi në Tribunalin e Hagës, në zyrat që i kanë pasur pas lufte në 2002 në Prizren, kam dhënë dëshmi 3 ditë nga dy orë, 6 orë gjithsej”, ka thënë Krasniqi.

Masakra e Pastaselit përmendet në gjykimin ndaj ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviq, i cili gjatë luftës ishte edhe shef i Departamentit për Siguri Publike në kuadër të MUP-it serb.

Gjorgjeviq është dënuar me 18 vjet heqje lirie, mirëpo akuzat ndaj tij janë për rolin që pati në krimet në të gjithë Kosovën.

Në shkurt të vitit të kaluar vdiq Beqir Krasniqi, i cili po ashtu ishte pjesë e 13 të mbijetuarve të masakrës, duke e lënë Tahir Krasniqin si të mbijetuarin e vetëm nga kjo ngjarje.

Sipas avokatit Anton Nrecaj, për një proces gjyqësor të drejtë e një aktakuzë të bazuar, rëndësi të madhe kanë dëshmitë e personazheve që përjetuan krimet.

Prandaj Nrecaj bën thirrje që prokuroria të veprojë shpejt që për masakrën e Pastaselit të dënohen kryerësit.

“Natyrisht që mos qenia gjallë e dëshmitarëve të cilët i kanë përjetuar dhe mbijetuar masakrat gjatë luftës në Kosovë, natyrisht që e komplikon më shumë procesin e mbledhjes së provave, sepse të kesh një dëshmitar që e ka përjetuar të gjithë atë tmerr është një argument më i fortë mbi bazën e së cilës prokuroria dhe gjykata mund kenë argumente që në fund të kenë një proces gjyqësor të drejtë”, ka thënë Nrecaj.

KOHA i ka nisur pyetje Prokurorisë Speciale se a kanë nisur hetimet lidhur me këtë masakër. Mirëpo, gjatë të hënës nuk ka pranuar përgjigje.

Ndërkohë, për të vrarët të hënën në varrezat e këtij fshati kanë bërë homazhe qytetarë të shumtë e udhëheqës institucionalë e partiakë.

Në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në fshat, ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka thënë se masakrat si ajo e Pastaselit janë dëshmi e një strategjie gjenocidale të planifikuar nga Serbia.

“Ajo që e bën këtë masakër ndër më të tmerrshmet në Kosovë është brutaliteti dhe metodat çnjerëzore të përdorura nga forcat serbe. Ata torturuan shqiptarët, i ndanë në grupe, vranë fëmijët para prindërve dhe gjyshërve të tyre dhe më pas i ekzekutuan të rriturit. Kjo ishte një strategji e qartë për të shkaktuar terror dhe shfarosje për t’i torturuar në mënyrë çnjerëzore civilët, ashtu që plagët e luftës të mos fshiheshin asnjëherë”, ka thënë Haxhiu.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar drejtësi.

“Një çerekshekulli më parë forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë kryen krime të tmerrshme kundër popullsisë civile në Kosovë. Më 1999, në Pastasel të Rahovecit 106 burra, gra dhe fëmijë u vranë e u masakruan brutalisht. E njëjta valë dhune vazhdoi në Burim të Malishevës, ku 42 civilë të pafajshëm u ekzekutuan pa mëshirë. Por, kujtesa jonë nuk zbehet. Historia nuk mund të harrohet. Me përkushtim dhe vendosmëri, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë të vërtetën dhe të kërkojmë drejtësi për viktimat e këtij gjenocidi”, ka shkruar Osmani.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar sistemin e drejtësisë në vend që, siç ka thënë, nuk ka bërë asgjë për këto krime.

“Këto data përkujtimore janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake u përpoq të shfaroste popullsinë shqiptare vendase në Kosovë. Këto masakra kanë dëshmitarë e dëshmi, të cilat do të duhej kthyer në dosje provash për aktakuza e dënime për krime lufte, nga prokuroria dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë, që janë shumë pasivë krahasuar me kushtet e përmirësuara, pagat e larta dhe dyfishimin e hetuesve që kemi bërë. Dëshmitë e të gjitha krimeve të luftës së fundit, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë, po mblidhen nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi”, ka thënë ai.

E kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është shprehur se masakra në Pastasel ka përmasa gjenocidale.

“Kjo ishte një masakër e dhimbshme për të gjallët dhe mesazh për ndërkombëtarët se krimi në Pastael ka vërtet përmasa të gjenocidit. Plagët e Kosovës edhe pas 26 vjetësh ende kullojnë gjak”, ka thënë Latifi.

Më 31 mars të vitit 1999, forcat serbe u futën në fshatin Pastasel në të cilin të strehuar ishin edhe banorë të fshatrave të tjera. Nga aty gratë i përzunë për Shqipëri e burrat i pushkatuan afër një përroi në fshat.

Kësaj masakre i mbijetuan 13 persona, por 12 nga ta kanë vdekur pas lutës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas dy vitesh funksionimi, Prokuroria pritet të përfundojë me dëshmitarët…