I mbuluar me humanizëm e qese prej “ari”!
Arieta Mjeku – Azizi
Të jesh profesionist i fushës përkatëse dhe në të njejtën kohë humanist është gjëja më e bukur që mund ta kesh, e aq më e bukur kur të tjerët e shohin.
Të jesh infektolog, sot dhe në të njejtën kohë të buzëqeshësh pa naluar asnjë moment, është punë goxha e madhe.
Një tunel dezinfektues, një zhurmë heshtjeje, një objekt spitalor ku brenda kishte me qindra të shtrirë dhe në ballë të objektit qëndronte një qenje njerëzore duke marë mostra/strisho nga pacientët të cilët nga halli se mos janë infektuar me koronavirus e vështronin atë qenje sikur të ishte “pejgamber”.
Të them të drejtën nuk kishin faj, sepse përballë tyre qëndronte një njeri i mbuluar me qese prej “ari” me dy palë maska, me disa palë dorëza, me gojë të mbyllur, por sytë e tij buzëqeshnin sepse buzëqeshjen nuk mund ta shihnim nga maskat e vendosura që ta zinin frymën.
Sot, shumë e rrallë, të jesh në krye të pacientëve me halle, t’ua marësh strishot në hundë e në fyt, por në të njejtën kohë ta luash edhe rolin e psikologut për të pambrojturit që ishin përballë tij.
E shihja që ai njeri me qese prej “ari” u jepte forcë të pranishmëve, hallegjinjve,ndoshta edhe atyre që të nesërmen mund të dilnin pozitiv me COVID 19.
Ishte ky dr. Veli Rexha, një njeri i thjeshtë, me komunikim prej psikologu, i cili përkrahte pacientët që dilnin prej aty, dhe atyre më nuk u interesonte a do dalin pozitiv a negativ, e rëndësishme ishte ta mposhtnin luftën e tyre psikologjike që e kishin përbrenda vetes.
I lumi Kosova që ka doktor të tillë, qytetarët edhe mund të dalin pozitiv me virus, por përkrahjen që ua ofrojshe ishte e pashembullt.
Qysh nuk u ndale asnjë moment, na trego si mund të qëndrosh i mbështjellur fort me qese prej “ari” e në të njejtën kohë, tërë ditën ta kesh atë komunikim me pacientë.
Hallall të qoftë!
Secili njeri i kësaj toke të shenjtë, do duhej të ndihej krenar me njerëz si ti, me “qese prej ari”!.