I ndërrohet emërtimi asociacionit, të hënën instituti gjerman ‘FES’ publikon draft-statutin
Instituti gjerman “Friedrich Ebert Foundation” ka njoftuar se të hënën më 30 janar do të shpalosë publikisht draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse në njoftim është riformuluar emërtimi si “Asociacioni i Komunave në Republikën e Kosovës ku komuniteti serb i kosovës është shumicë”.
Në thirrjen për shpalosjen e draft-statutit të asociacionit është shkruar se “‘Fondacioni Friedrich Ebert (FES)’ në Prishtinë ka kënaqësinë t’ju ftojë në ngjarjen publike ku do të prezantojmë dhe diskutojmë rezultatet e punës sonë në draft-statutin për ‘Asociacionin e Komunave në Republikën e Kosovës në të cilin komuniteti serb i Kosovës është në shumicë’, hartuar në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP)”.
Kujtojmë se në Marrëveshjen e Brukselit, kësaj marrëveshje pala kosovare i referohej si “Asociacioni i komunave me Shumicë Serbe” ndërsa ajo serbe si “Asociacioni i Komunave Serbe (ZSO – Zajednica Srpskih Opština).
“Vitin e kaluar, ne bashkuam forcat me Institutin Evropian të Paqes (EIP) dhe organizuam një seri të përbashkët të punëtorive në vitin 2022 mbi çështjet e pazgjidhura të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëpërmjet këtyre punëtorive kemi diskutuar dhe trajtuar çështjet dhe sfidat më urgjente lidhur me zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila i ka paraprirë hartimit të statutit. Puna është produkt i partneritetit midis dy organizatave tona dhe nuk përfshin asnjë palë të tretë. Procesi i hartimit të statutit përfshinte konsultime me ekspertë, akademikë dhe profesionistë që punonin ose përfshiheshin në dialogun e Brukselit”.
“Prandaj, në një mjedis shumë të instrumentalizuar politikisht, publikimi duhet parë më tepër si një pikënisje për një kontribut të bazuar në prova. Puna jonë u drejtua vetëm nga motivimi për të kontribuar në fillimin e një diskutimi publik thelbësor dhe ofrimin e rekomandimeve tona të formuara përmes ekspertizës së duhur vendore dhe ndërkombëtare – siç kemi bërë në të kaluarën për çështje të ndryshme politike dhe socio-ekonomike”, është thënë në njoftim.