I ndez cigaret rend si Zhak Preveri
24 gusht 2020
| 10:51
Salajdin Salihu
i ndez cigaret rend si Zhak Preveri
ti s’je në dhomën e zbrazur
brenda më ngulfat vetmia
dritaret kaherë i kam mbyllur
dhe dyert
ku mund të hyjë marrëzia…
notoj nëpër tymin e vjellë në ajër
në saksi vyshken lulet…
ca gjethe të vdekura
në një peizazh vjeshte
era e kujtimeve i mbart
si në poezitë e Zhak Preverit
ca gjethe të lehta
si puthje në stacion
ku të përcjellë trishtimi
dhe të pretë
siç i pret i burgosuri festat
puthje të lehta
si vdekja
ndez cigaret rend si Zhak Preveri
dhe nuk e rrëfej jetën time
dhe nuk e rrëfej jetën time…