I nevojshëm investimi në mësimin digjital – Interneti i shtrirë në 80% të shkollave, 1 kompjuter për 35 nxënës
Qendra e Kosovës për Mësim në Distancë (KCDE) ka mbajtur diskutimin e udhëzuar me temën “Mësimi Digjital në Kosovë”, në kuadër të Projektit Zhvillim Inovativ për Avancimin e Arsimit (IDEA 2022), raporton Ekonomia Onlime.
Të pranishëm ishin ekspertë të arsimit digjital, përfaqësues të institucioneve të arsimit, organizata të shoqërisë civile që punojnë në fushën e arsimit, si dhe palë të tjera kyçe të sektorit arsimor.
Qëllimi ishte që bashkërisht të gjitha palët të ndajnë punën e deritanishme në këtë fushë, të shtjellojnë sfidat e hasura, dhe të dalin me rekomandime rreth trajtimit optimal të situatës.
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, tha se digjitalizimi në shkolla, vazhdon të zgjerohet, ndonëse tha se ka mangësi sa i përket funksionimit të internetit.
Problematikë sipas tij, është mungesa e kompjuterëve nëpër shkolla, ku për 35 nxënëses ka vetëm një kompjuter, ndonëse mbi 80% e shkollave kanë qasje në internet.
“Prej viti 2017 funksionon sistemi për menaxhimin e informacionit në arsimin e lartë. Gjithnjë e më shumë po shfrytëzohet portali E-kosova në të cilin nëse ju hyni në portal dhe i kërkoni shërbimet arsimore, ju mund të shihni se mund të kryeni shërbime për bursa, pagesat e taksave të ndryshme. I kemi digjitalizuar disa procese siç është ai për njohjen e diplomave nga qendra NARIQ dhe në Agjencinë e Akreditimit”.
“Në kohën e pandemisë janë zhvilluar video-mësimet për afro 14 mijë klipe, të cilat sigurisht që nuk kanë qenë të planifikuara, por që shkaku i pandemisë, arritëm t’i kemi ato materiale dhe të cilat janë integruar ose janë përfundim brenda platformës Shkolla.org, e cila është një platformë për mësim në distancë. Për momentin e kemi një kompjuter për 35 nxënës nëpër shkollat tona që është nën çdo standard. 85 për qind e institucionit para universitar kanë qasje në internet, por jo të gjitha e përdorin internetin për qëllime mësimore, mirëpo në shumë vende kabllimi ekziston”, tha Pupovci.
Antigona Uka, drejtoreshë e Qendrës së Kosovës për Mësim në Distancë (KCDE), tha se sistemi i arsimit në përgjithësi në Kosovë është i mbështetur në mësimin tradicional, por që thotë se duhet duhet të investohet në infrastrukturë.
“Ne duhet të mirëpresim zgjidhjen e mësimit digjital, ne duhet të sigurojmë një proces cilësor arsimor, por që para se procesi digjital arsimor të pranohet në shkollat tona, ne duhet të investojmë në infrastrukturë dhe të zgjerojmë nocionin sesi e kuptojmë edukimin në përgjithësi, duke përfshirë edukimin online apo digjital. Sistemi i arsimit në përgjithësi në Kosovë është i mbështetur në mësimin tradicional, prandaj kemi par investime minimale në teknologji dhe në trajnimin e mësimdhënësve mbi mësimin digjital”, tha ajo.
Ndërsa Petrit Tahiri drejtor i KEC-it, tha se në kuadër të këtij projekti, po punojnë me disa shkolla që funksionalizimet procesi i digjitalizimit.
“I gjithë qëllimi i këtij projekti është që këto përmbajtje të këtyre diskutimeve, të përkthehen në materiale për hartimin dhe avancimin e politikave arsimore në Kosovë. Përveç këtij projekti janë duke u zhvilluar edhe dy projekte tjera që i kontribuojnë digjitalizimit në Kosovë”.
“Ne së bashku me zyrën e UNICEF-it jemi duke punuar në 42 shkolla të Kosovës, ku përveç trajnimeve që po i zhvillojmë për mësimdhënësit për shfrytëzimin e platformave digjitale, poashtu po punojmë së bashku me shkollat që të hartojmë përmbajtjen digjitale e cila pastaj do të shfrytëzohet në platformën ‘Shkolla.org’, e cila do të jetë në shfrytëzim për të gjithë mësimdhënësit në tërë Kosovën”, tha ai.
Rezultatet e këtij diskutimi do të shërbejnë për të hedhur hapat e parë drejt nismës avokuese për mbështetjen e digjitalizimit të arsimit në Kosovë, në kuadër të Projektit IDEA 2022.