I nominuari i ShBA-së për ambasador në Serbi: Palët t’i kthehen dialogut
I nominuari i ShBA-së për ambasador në Serbi, Anthony Godfrey, ka thënë se prioritet i tij do të jetë normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe gjetja e një zgjidhje të qëndrueshme.
Diplomati amerikan, i cili ka qenë zëvëndësambasador në Moskë, thotë se është i vetëdijshëm për “ndikimin malinj të Rusisë” dhe thekson se është në interesin strategjik të ShBA-së, për të mbështetur Serbinë në rrugën evropiane.
Anthony Godfrey foli përpara Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit, i cili do të duhet të konfirmojë emërimin e tij, në mënyrë që më pas të votohet nga ana e Senatit.
“Serbia është një lidere politike dhe ekonomike dhe luan një rol kryesor në stabilitetin rajonal. Është në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara që Serbia të zhvillohet si një vend modern, demokratik dhe evropian dhe të mbështesim integrimin e saj në BE. Serbia është në një pikë kthese dhe liderët duhet të zbatojnë reformat në mënyrë që vendi të shkojë drejt BE-së”, ka deklaruar Godfrey në fjalën e tij, transmeton “Zëri i Amerikës” në gjuhën serbe.
Diplomati amerikan ka pohuar se stabiliteti rajonal është parësor, dhe se Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, në mënyrë që të përparojë drejt anëtarësimit në BE.
Ai ka potencuar se përparësia e tij, nëse konfirmohet si ambasador, do të ishte normalizimi i marrëdhënieve Beograd-Prishtinë dhe do t’i inkurajonte të dy palët të kthehen në tryezën e bisedimeve.
“Ne po punojmë në këtë drejtim në Beograd, Prishtinë, Uashington dhe Bruksel për të gjetur një mënyrë që Serbia dhe Kosova të vijnë deri te një zgjidhje, të shmangin hapat kundërproduktiv që të dyja palët po përdorin. Të dyja palët duhet të ecin përpara, dhe është detyra jonë ta mundësojmë këtë”, është shprehur Godfrey, kur u pyet nga senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, se çfarë mund të bëhet në mënyrë që Serbia dhe Kosova të gjejnë një zgjidhje.
Godfrey ka theksuar se pas shërbimit diplomatik në Moskë, ai ishte “plotësisht i vetëdijshëm për sjelljen agresive të Rusisë, ndikimin keqdashës dhe fushatën e dezinformimit që ajo po e zhvillon në Evropë” dhe se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje të mëdha për ta kundërshtuar atë.
Senatorja, Jeanne Shaheen, ka thënë se dorëzimi i fundit i automjeteve luftarake ruse në Serbi është shqetësues në aspekt të dyfishtë – sepse Rusia dëshiron të ndikojë në situatën në Serbi, dhe sepse po frikëson vendet e tjera të rajonit, duke pasur parasysh “rolin e Serbisë në luftërat e viteve 1990”.
Godfrey u përgjigj duke thënë se qëllimi i ShBA-së në Ballkanin Perëndimor është në kundërshtim me qëllimet e Rusisë, por është dakord me qëllimin e Serbisë për t’u integruar në Perëndim, dhe do të inkurajojë Serbinë të lëvizë drejt perëndimit, gjë që, sipas tij, përfshinë edhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.