I nxehti në Evropë ka shkaktuar shtatë viktima
01 korrik 2019
| 17:39
45.9 gradë celsius ishte rekordi i temperaturave që u vendosën në Francë këto ditë me valën e të nxehtit afrikan që mbuloi gjithë Evropën. Deri me tani shtatë viktima janë shënuar në gjithë kontinentin, në Francë, Itali e Spanjë.
Pasojë e një moti të tillë janë zjarret masive në pyjet e Katalonjës, në veri-lindje të Spanjës.
Në Paris e qytete të tjera të Francës, banorët iu drejtuan plazheve dhe shatërvanëve për t’u freskuar gjatë ditës. Shumica e institucioneve arsimore janë mbyllur, pasi nxënësit dhe studentët e kishin të pamundur të vijonin procesin mësimor.
Për ekspertët e klimës, kjo vapë përvëluese është e parakohshme për qershorin, ka zgjatur më shumë se zakonisht dhe është pasojë e ngrohjes globale nga aktiviteti njerëzor.