I nxehti që po “pjek” Kanadanë i kapi qytetarët pa kondicionerë
I nxehti ekstrem me temperaturat rekord që prekën thuajse 50 gradë celcius në Kanada ka shkaktuar të paktën 140 të vdekur.
Pyetja që po bëhet gjithnjë e më shumë është se përse ky numër kaq i lartë viktimash nga moti ekstrem në një vend me mirëqënie të lartë e me mundësi të mëdha përdorimi të teknologjisë dhe të kondicionerëve?
Përgjigja është e thjeshtë. Zonat ku ka goditur i nxehti ekstrem shquhen përgjithësisht për dimër të ashpër dhe verë të freskët me temperatura mesatare që rrallë kalojnë 30 gradë celcius.
Për këtë arsye, pjesa më e madhe e kanadezëve në këto zona nuk përdorin kondicionerë në shtëpi, por vetëm sisteme ngrohjeje që u nevojitet përgjatë periudhës së dimrit.
Shumë janë strehuar nëpër qendrat sociale dhe salla me ajër të kondicionuar të hapura nga shteti.
I nxehti ekstrem ka shkrirë asfaltin në disa rrugë të Kanadasë Perëndimore e po ashtu edhe kablla të energjisë elektrike.
Qendrat e vaksinimit anti-Covid u mbyllën, ose u zhvendosën, shkollat u mbyllën gjithashtu dhe transporti publik në disa zona u ndërpre.
Dyqanet nisën shitjen me shpejtësi të kondicionerëve të lëvizshëm, freskueseve me ajër, akullit dhe ujit.
Ekspertët paralajmërojnë se fenomenet e motit ekstrem do të përsëriten edhe më shumë në të ardhmen për shkak të ndryshimeve klimatike globale.
Meteorologët parashikojnë që i nxehti të fillojë të tërhiqet gradualisht, por nuk do të marrë fund para ditës së diel.