I pajtuam gjaqet për t’i hapur rrugën luftës çlirimtare
“Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991”, titullohet libri, të cilin publicisti Lulëzim Etemaj e ka botuar këto ditë.
Në shkurt të vitit 1990, pesë studentë nga Istogu dhe Peja, Myrvete Dreshaj, Have Shala, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj, që të gjithë ish- të burgosur politikë, vendosin që të marrin iniciativën për pajtimin e gjaqeve, të bindur se lufta çlirimtare ishte alternativa e vetme për liri dhe shtetformim të Kosovës.
Në një intervistë për agjensinë e lajmeve INA, Etemaj ka thënë se historikisht te shqiptarët pajtimi i gjaqeve apo dhe ndalesa e gjakmarrjes ka ndodhur në prag të kryengritjeve dhe luftërave të armatosura çlirimtare.
“Ishte bindje e plotë e jona se edhe Kosova e kishte të pashmangshme luftën nëse shqiptarët duan t’i mbijetojnë shtypjes dhe dhunës, nëse vërtet e kishin vullnetin e plotë për t’u çliruar nga Serbia. Këtë pikëpamje tonën e kemi thënë publikisht. Ua kemi thënë edhe familjeve që u kemi kërkuar të shtrijnë dorën e pajtimit. Sepse për të hyrë në luftë, ishte domosdo që të bëhej pajtimi, përmes faljes së gjaqe, plagëve dhe ngatërresave. Pa një pajtim të tillë kombëtar dhe ndjenjë të lartë solidariteti, lufta do të ishte më e rëndë dhe gjithsesi çmimi i çlirimit dhe lirisë së Kosovës do të ishte shumë më i shtrenjtë”, është shprehur Etemaj.
Gjithçka çfarë ndodhi brenda një viti, nga ideja, falja e gjaqeve, plagëve e ngatërresave në anë të ndryshme tëKosovës, por edhe në Maqedoni, Mal të Zi, si dhe në Luginën e Preshevës, të faktuara me fotografi dhe procesverbale të pabotuara deri më tani, Etemaj i ka përmbledhur në librin “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991”.
INA: Cila është idea thelbësore e shkrimit të librit për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë 1990-1991?
Etemaj: Fillimisht, duke qenë se jemi në përvjetorin e 30-të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, t’u shpreh edhe një herë falenderimin dhe mirënjohjen time të gjithë atyre që hoqën dorë nga hakmarrja, falën gjaqe, plagë e ngatërresa, shtrinë dorën e pajtimit. Poashtu ishte idea që të falenderohen publikisht edhe të gjithë ata mijëra vullnetarë që bënë punë të palodhshme në mënyrë që pajtimi i gjaqeve të përmbyllej me sukses. Ishte vlerësim i imi që gjeneratave të reja dhe posaçërisht historiografisë shqiptare i ka munguar një libër i tillë, i shkruar nga njëri prej pesë nismëtarëve, që ka në dispozicion informata, fakte, procesverbale dhe fotografi të dorës së parë. Të gjitha këto të pa publikuara më parë.
INA: Sa është e vërtetë se pajtimi i gjaqeve është bërë si parapërgatitje për luftën që ndodhi më pas?
Etemaj: Historikisht te shqiptarët pajtimi i gjaqeve apo dhe ndalesa e gjakmarrjes ka ndodhur në prag të kryengritjeve dhe luftërave të armatosura çlirimtare. Ishte bindje e plotë e jona se edhe Kosova e kishte të pashmangshme luftën nëse shqiptarët duan t’i mbijetojnë shtypjes dhe dhunës, nëse vërtet e kishin vullnetin e plotë për t’u çliruar nga Serbia. Këtë pikëpamje tonën e kemi thënë publikisht. Ua kemi thënë edhe familjeve që u kemi kërkuar të shtrijnë dorën e pajtimit. Sepse për të hyrë në luftë, ishte domosdo që të bëhej pajtimi, përmes faljes së gjaqe, plagëve dhe ngatërresave. Pa një pajtim të tillë kombëtar dhe ndjenjë të lartë solidariteti, lufta do të ishte më e rëndë dhe gjithsesi çmimi i çlirimit dhe lirisë së Kosovës do të ishte shumë më i shtrenjtë.
INA: Ju jeni njëri nga ata pesë studentët që e filluan pajtimin e gjaqeve, të cilit iu bashkëngjitën profesor Anton Çetta si dhe një numër i madh profesorësh e intelektualësh të shumtë?
Etemaj: Po, vendimi për të filluar pajtimin e gjaqeve është marrë në Pejë. Të pesë nismëtarët, Have Shala, Myrvete Dreshaj, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj dhe unë, Lulëzim Etemaj, ishin studentë, më parë ish- të burgosurë politikë. Të nesërmen kemi realizuar takime të shumta me personalitete të ndryshme, si nga fusha e politikës ashtu dhe nga bota akademike. Politika, si në Pejë një ditë më parë, ashtu dhe në Prishtinë të nesërmen, përkundër vlerësimit si të dobishme nismën tonë, nuk ka pranuar që përkrahjen ta bëjë publike. Kërkesa jonë ishte kjo: përmes një komunikate në media t’i bëhet thirrje popullit që ta përkrahi nismën e të rinjve për pajtimin e gjaqeve.
Profesor Anton Çetta si dhe Zekeria Cana e kanë përkrahur fuqimisht nismën tonë dhe na kanë premtuar mbështetje. Fillimisht mbështetja na është ofruar gjatë fundjavës, përmes pjesëmarrjes në ceremoninë e shtrirjes së dorës së pajtimi në rastet kur ne na ishte falur gjaku. Më vonë, që të dy kanë marrë pjesë direkt edhe në përgatitjen e rasteve më të rënda dhe arritjen e faljes së gjakut. Kishte një bashkëpunim të shkëlqyeshëm mes nesh si dhe gërshetim të mirë të vrullit tonë rinorë, vendosmërisë sonë, me urtinë e profesor Anton Çettës dhe vullnetin e mirë të Zekeria Canës.
INA: Pse historia e shqiptarëve çuditërisht nuk shkruhet çka po ndodh me ne si popull? Jemi përtac apo i lëmë në harresë gjërat?
Etemaj: Si komb, ne shkruajmë shumë histori. Madje edhe prodhojmë histori më tepër se sa që mund të konsumojmë. Problemi qëndron në shkrimin e saj. Në mënyrën e shkrimit dhe qëndueshmërinë shkencore të saj. Karrshi standardeve evropiane, përgjithësisht shkrimi i historisë nga ana jonë lë tepër shumë për të dëshiruar. Kuptohet, ka përjashtime të shkëlqyeshme, nga historianë të caktuar në nivel kombëtar, të cilët vërtet zënë vend të merituar për përkushtimin dhe rezultatet e punës së mirëfilltë shkencore.
INA: Pajtimi i gjaqeve në vitin 1990-1991 ka ndodh edhe në hapësirat tërë shqiptare në ish-Jugosllavi, si Maqedoni, Mal të Zi etj.?
Etemaj: Sipas pikëpamjeve politike të nismëtarëve të pajtimit të gjaqeve, viset shqiptare nën Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës ishin Kosovë. Prandaj, krejt natyrshëm që Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve e ka zhvilluar veprimtarinë e saj edhe në këto anë.
INA: Cili është mesazhi që e sillni me këtë libër?
Etemaj: Derdhja e gjakut, përmes aktit të hakmarrjes, edhe për shqiptarët duhet t’i përket të kaluarës. Jemi popull evropian, prandaj nuk duhet të dallohemi as në këtë aspekt. Ndëshkimi për krimin e kryer nuk duhet të ndodhë nga ana e qytetarëve përmes gjakmarrjës dhe hakmarrjës, por atë duhet ta bëjnë drejtësia e organeve përgjegjëse të shtetit. Sado që Kosova është shtet i ri dhe, si në drejtime të tjera, edhe drejtësia e saj karakterizohet nga një mori deformimesh, duhet të kemi më shumë besim në të dhe nuk duhet në asnjë rrethanë që detyrat dhe kompetencat e saj të kalojnë në duartë e qytetarëve.