“I plotësuara me skandalet e ministrave të tij”, Hoxhaj: Albin Kurti është zhdukur
Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti është zhdukur nga skena publike, duke u fshehur mbrapa skandaleve të ministrave të tij.
Hoxhaj ka shkruar në faqen e tij në “Facebook” se Albin Kurti herën e fundot në aktivitete politike është parë gjatë ndërhyrjes në zgjedhjet në Shqipëri.
“Mungesa e vaksinave, mungesa e programit qeverisës, e transparencës për dialogun, ndarja e 11 milionë eurove për pagesën rrymës së serbëve dhe bizneseve të tyre në veri janë disa nga dështimet e para të plotësuara këto ditë edhe me skandalet e ministrave të tij”, ka thënë Hoxhaj.
Postimi i plotë i Hoxhajt:
Albin Kurti është zhdukur. Të vetmet herë që u pa prej se e mori detyrën si kryeministër ishin shfaqjet e tij gjatë zgjedhjeve në Shqipëri duke ndërhyrë në politikën e brendshme të një shteti. Mungesa e vaksinave, mungesa e programit qeverisës, e transparencës për dialogun, ndarja e 11 milionë eurove për pagesën rrymës së serbëve dhe bizneseve të tyre në veri janë disa nga dështimet e para të plotësuara këto ditë edhe me skandalet e ministrave të tij. Ai është vetëm hija e një kryeministri, që të vetmet deklarata politike i ka “mbrojtjen dhe arsyetimin e qëndrimeve skandaloze të vartësve në kabinetin qeveritar”.
E para në listë është ministrja Donika Gërvalla-Schwarz e cila nuk po ndalet së foluri dhe me vetëdije për “krimet” kinse të UÇK-së. Ende nuk e dëgjuam asnjë fjalë për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Kulmi ishte sot në Kuvend, ku në pritje të një kërkimfalje prej saj ndaj mijëra viktimave shqiptare në Kosovë, ajo shkoi më tej duke e marrë në mbrojtje Serbinë. Në vend se të tregoj për planet si ministre e jashtme në cilën organizatë do të aplikoj Kosova dhe ku ka ngecur procesi i njohjeve, ajo zgjodhi konfliktin me opozitën.
Por përpjekja e sotshme e saj dhe e bashkëpartiakëve për t’ia mbyllur gojën opozitës dështoi. Sepse PDK nuk do të nënshtrohet dhe zmbrapset para asnjë presioni. Sepse Kosova ka një kryeministër hije me qeveri praktikantësh, që agjendën ia diktojnë ministrat e tij me skandale dhe jo me punë për të cilën janë votuar masivisht nga qytetarët e Kosovës.