I priu Paradës së Krenarisë, Kurti: Nëse besojmë në të drejtat e njeriut, duhet t’i flakim paragjykimet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e Paradës së Krenarisë në Prishtinë të shtunën, në kuadër të edicionit të tetë të Javës së Krenarisë në Kosovë. Ai tha e kjo paradë e afirmon diversitetin dhe e kundërshton stigmatizimin.
Ai tha se të gjithë njerëzit duhet të jenë të barabartë dhe askush nuk duhet të përjashtohet.
“Kjo paradë e afirmon diversidetin dhe e kundërshton stigmatizimin. Nëse besojmë në të drejtat e njeriut atëherë duhet ti flakim tutje paragjykimet. Disa njerëz janë më ndryshe, disa njerëz janë shumë më ndryshe por që të gjithë jemi njerëz dhe duhet të jemi të barabartë. Pikërisht barazia na e mundëson bashkimin, e pamundëson paragjykimin dhe e garanton gjithpërfshirjen. Unë mora pjesë në këtë paradë sepse shteti ynë i pavarur është Republikë demokratike që nuk e përjashton asnjërin dhe garanton barazi për secilin”, ka thënë Kurti.
Duke mbajtur në krye pankartën me sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi”, ai marshoi në këtë paradë, i shoqëruar dhe nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Mimoza Kusari-Lila, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si dhe aktivistë, anëtarë të shoqërisë civile dhe pjesëmarrës të tjerë.
Java e krenarisë ka nisur më 3 qershor dhe gjatë javës janë mbajtur aktivitete të ndryshme.
“Sllogani ‘Kemi qenë dhe do t`jemi’ është kaq i vogël për ta përshkruar ndjenjën tonë të krenarisë, për atë çka jemi e për atë ku do të arrijmë, ku do të lartohemi. Ekzistenca jonë është në paradën tonë të përditshme, në defileun tonë në një vend ku ngjyrat shpesh pengojnë. Duke e respektuar të kaluarën tonë, ne duam të shohim kah e ardhmja. Heshtja ka qenë mekanizmi ynë për shumë gjatë, por jo tash e tutje. Në mes të sfidave e vështirësive, shpirtrat tanë kanë mbetur të fuqizuar”, thuhet në një komunikatë të organizatave që organizojnë javën e cila shërben si demonstrim për barazi te komunitetet LGBTIQ+.
Ky është edicioni i tetë i Javës së Krenarisë në Kosovë.