I privilegjuar që në mandatin e kësaj qeverie u miratua vendimi për dërgimin e FSK-në në misione paqeruajtëse
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, një ditë pasi që Kuvendi ka miratuar vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës, vizitoi kazermën “Adem Jashari” në kryeqytet.
Hoti para pjesëtarëve të FSK-së ka thënë se vendimi i djeshëm është ndër hapat më të rëndësishëm historikisht, që ka bërë Kosova si shtet dhe si Forcë e Sigurisë, drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike.
“Besoj se qytetarët dhe liderët tepër vizionarë kanë pasur mundësi ta parashikojnë në fillim të viteve ’90-ta, atëherë kur është themeluar Ushtria e Republikës së Kosovës, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, që shteti i Kosovës të jetë pjesë dhe të integrohet plotësisht në strukturat euroatlantike”, ka thënë Hoti
Më tutje, kryeministri Hoti ka theksuar se qytetarët e Kosovës e dinë se sa e rëndësishme është për një popull që ka nevojë për paqe dhe stabilitet, të ketë mbështetjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ai ka nënvizuar se ndjehet vërtetë i privilegjuar që në mandatin e kësaj qeverie u miratua vendimi për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Gjatë vizitës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, kryeministri Hoti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe nga anëtarë të kabinetit të tij.