I propozuari për ministër të Drejtësisë: Kufirin do ta kthejmë në Çakorr
I propozuari nga AAK-ja për ministër të Drejtësisë, në një qeveri të mundshme të drejtuar nga Avdullah Hoti, Selim Selimi, ka thënë se me qeverinë e re kufiri do të kthehet në Çakorr. Selimi ka thënë se Kuvendi i Kosovës ka marrë zotim për rishikim të vijës kufitare me Malin e Zi.
“Pasi ka ardhur koha të jemi partnerë me LDK-në ne kemi insistuar që në këtë marrëveshje të përfshihet, ndër të tjera, edhe demarkacioni. Ne kemi marrë obligimin dhe në letërkëmbimin me LDK-në thuhet se duhet të realizohen obligimet e marra. Ne kemi marrë obligim që ta dërgojmë kufirin në Kullë dhe Çakorr. Atë obligim ne duhet ta realizojmë. Ai obligim do të realizohet me këtë pushtet”, ka thënë ai në Dukagjini.
I propozuari nga AAK-ja për ministër të Drejtësisë thotë se është normale që çdo parti t’i ketë politikat e veta me të ardhur në qeveri. Selimi thotë se AAK-ja në qeverinë e PAN-it i ka dhënë mundësi të pashtershme Komisionit për rishikimin e demarkacionit e që, sipas tij, të gjeturat e atij komisioni do t’i ndihmojnë Kosovës që kufiri të kthehet ku ishte.